Veprimtari Halil Geci ka komentuar zhvillimet politike në vend, duke drejtuar kritika ndaj partive opozitare për kërkesat e tyre të vazhdueshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Ai vlerëson se opozita nuk po arrin të sigurojë besimin e qytetarëve përmes votës dhe, në vend se të reflektojë, po synon përsëritjen e procesit zgjedhor me shpresën se rezultati mund të ndryshojë.
Të lidhura
None found
“Pushteti fitohet me votë, jo me dëshira apo kalkulime politike. Nëse qytetarët nuk të besojnë sot, zgjidhja nuk është të kërkosh zgjedhje pa fund, por të ndryshosh qasjen dhe ofertën politike”, ka shkruar Geci.
Sipas tij, qytetarët tashmë janë të lodhur nga krizat e pandërprera politike, ndaj verdikti i tyre duhet respektuar. Ai theksoi se demokracia vihet në funksion përmes votës, e jo përmes organizimit të zgjedhjeve të njëpasnjëshme.
Postimi i plotë:
PARTITË OPOZITARE NUK PO MUND TË FITOJNË ME VOTË, PRANDAJ KËRKOJNË ZGJEDHJE PA MBARIM
Humbjet e njëpasnjëshme nuk po e shtyjnë opozitën drejt reflektimit, por drejt kërkesave për zgjedhje të reja, me shpresën se ajo që nuk ua dha qytetari sot, do t’ua japë nesër lodhja e elektoratit nga opozita do ju kushtoj te kutija.
Në demokraci, pushteti fitohet në kutitë e votimit dhe jo në tavolinat politike. Çdo përpjekje për të ardhur në pushtet pa verdiktin e qytetarëve është e papranueshme dhe bie ndesh me vetë parimet mbi të cilat funksionon një shtet demokratik.
Sjellja e opozitës në Kosovë po krijon përshtypjen se ajo ka vendosur ta mbajë vendin në një cikël të pafund zgjedhjesh, me shpresën se rezultati do të ndryshojë jo për shkak të bindjes së qytetarëve, por për shkak të përsëritjes së procesit zgjedhor.
Me këto veprime që po i bën opozita, duke e futur vendin në zgjedhje të njëpasnjëshme, edhe sikur të kërkonte zgjedhje çdo muaj, verdikti i qytetarëve në kutinë e votimit do të mbetej i njëjtë. Sepse rezultati nuk ndryshon duke përsëritur zgjedhjet, por duke ndryshuar politikat, qasjen dhe ofertën ndaj qytetarëve.
Por pushteti nuk merret me dëshira dhe as me kalkulime politike. Pushteti fitohet me votë. Nëse qytetarët nuk të besojnë sot, përgjigjja nuk është të kërkosh zgjedhje të reja pa fund, por të reflektosh mbi arsyet pse e ke humbur besimin e tyre.
Humbjet e njëpasnjëshme nuk ndryshohen duke ndryshuar datën e zgjedhjeve. Ajo që mund të ndryshojë është vetëm qasja politike, programi dhe alternativa që i ofrohet qytetarit. Në të kundërtën, rezultati mbetet i njëjtë, ndërsa lodhja dhe zhgënjimi i qytetarëve vetëm sa shtohen.
Qytetarët e Kosovës janë lodhur nga krizat e vazhdueshme politike dhe nga kërkesat e pafundme për zgjedhje të reja sa herë që opozita humbet. Demokracia nuk funksionon duke votuar vazhdimisht derisa opozita të fitojë. Demokracia funksionon duke respektuar verdiktin e qytetarëve dhe duke punuar për ta merituar besimin e tyre në zgjedhjet e ardhshme.
Për opozitën mesazhi është i qartë: hiqni dorë nga ëndrrat për pushtet pa votë, sepse pa mbështetjen e qytetarëve pushteti mbetet i paarritshëm. Në politikë nuk fiton ai që kërkon më shumë zgjedhje, por ai që bind më shumë qytetarë.
Në fund, qytetari është arbitri i vetëm i demokracisë. Dhe nëse opozita vazhdon ta lodhë vendin me kërkesa të vazhdueshme për zgjedhje, përgjigjja më e fortë do të vijë pikërisht aty ku jepet verdikti përfundimtar: në kutinë e votimit.
