Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, e ka pritur me shqetësim përfshirjen publike të Richard Grenellit në zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Grenell u ka dalë në mbështetje gjashtë deputetëve të LDK-së, të cilët kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për President.
Të lidhura
None found
Në një prononcim për “Bota sot”, Salihaj tha se qëndrimi i Grenellit nuk mund të konsiderohet vetëm si përkrahje personale për disa ligjvënës të LDK-së. Sipas vlerësimit të tij, kjo ndërhyrje synon të nxisë përçarje rreth marrëveshjes LDK-LVV dhe të pengojë konstituimin e institucioneve të Kosovës.
Ai pretendon se mbështetja publike për gjashtë deputetët ka si objektiv moszbatimin e marrëveshjes ndërmjet dy partive, duke bërë që vendi të vazhdojë të mbetet në krizë institucionale.

“Ndërhyrja e Grenellit ka për qëllim t’i inkurajojë deputetët e LDK-së që të mos e përkrahin marrëveshjen LDK-LVV. Qëllimi i fundit është që të mos bëhet konstituimi i institucioneve të Kosovës dhe të vazhdojë kriza institucionale, e cila e dëmton Kosovën në planin e brendshëm dhe të jashtëm”, deklaroi Salihaj.
Salihaj kritikoi gjithashtu faktin se disa përfaqësues të LDK-së po mbështeten publikisht nga Grenell. Sipas tij, një përkrahje e tillë nuk duhet të jetë arsye që ata të ndihen mirë.
“Motivet e Grenellit janë të qarta, ai mban anën e Serbisë dhe përpiqet ta dëmtojë Kosovën. Avdullah Hoti dhe deputetët e tjerë nuk duhet ta ndiejnë veten mirë që u jep përkrahje një njeri siç është Grenelli, sepse dihet botërisht se ai është njeri i paguar nga Serbia dhe i dekoruar me dekoratë të lartë nga presidenti serb Vuçiq për shërbimet që ia ka bërë shtetit dhe politikës serbe”, u shpreh ai.
Përplasjet lidhur me zgjedhjen e Presidentit, sipas Salihajt, duhen parë edhe në kuadër të një beteje më të gjerë politike për drejtimin e ardhshëm të institucioneve të Kosovës.
Ai nënvizoi se kundërshtimi i kryeministrit Albin Kurti duhet të zhvillohet përmes mekanizmave demokratikë dhe votës së qytetarëve, e jo duke penguar funksionimin e institucioneve.
“Lufta për ta larguar Kurtin nga pushteti duhet të jetë me votë të elektoratit, jo me obstruksione ndaj institucioneve. Kjo mënyrë e luftës, para se ta dëmtojë Kurtin, i dëmton interesat e Kosovës”, përfundoi Salihaj për “Bota sot”.
