Partia Demokratike ka lëshuar një deklaratë të ashpër pas një serie ngjarjesh të rënda kriminale që tronditën vendin brenda pak orësh, duke theksuar se këto episode dëshmojnë sfidimin e hapur të autoritetit shtetëror.
Në një hark të shkurtër kohor, Shqipëria u përball me një varg aktesh të dhunshme. Në Ndërfushaz të Mirditës, 65-vjeçari Viktor Bardhi u ekzekutua me armë zjarri në mëngjes. Pothuajse në të njëjtën kohë, në Orikum, pronari i një resorti denoncoi se ishte kërcënuar nga persona të armatosur. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë sesi të paktën tetë automjete mbërritën para kompleksit, bllokuan zonën dhe prej tyre zbritën disa persona. Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, një prej makinave të dyshuara u aksidentua gjatë largimit dhe brenda saj u gjetën tre shtetas si dhe një armë. Ndërkohë, në Korçë, të shtënat me armë në unazën e qytetit lanë të plagosur një qytetar, teksa policia vijon punën për të identifikuar dhe vënë në pranga autorin.
Të lidhura
None found
Sipas opozitës, këto nuk janë thjesht episode të izoluara të kronikës së zezë, por një demonstrim force nga bota e krimit që vepron i bindur se nuk do të përballet me shtetin. “Kur një grup mund të organizojë tetë automjete, të lëvizë në formacion dhe të rrethojë një biznes në mes të ditës, nuk kemi më të bëjmë vetëm me një lajm krimi, por me një sinjal se autoriteti i Republikës po vihet në pikëpyetje,” thuhet në reagim.
Duke mbështetur punonjësit e policisë që përballen me rrezikun dhe kryejnë detyrën me profesionalizëm, Partia Demokratike kërkon zbardhjen e menjëhershme dhe të plotë të rrethanave si dhe vënien para drejtësisë të autorëve. Megjithatë, demokratët ngrenë shqetësimin se Shqipëria nuk mund të administrohet duke u mbështetur në reagime të vonuara. “Vendi nuk qeveriset me postblloqe të ngritura pasi është kryer atentati, me ndjekje policore pasi është rrethuar biznesi dhe me komunikata pasi janë shkrepur armët. Policia nuk mund të mbetet përherë një hap pas krimit, shteti duhet të jetë gjithmonë një hap përpara,” theksohet në deklaratë.
Pas më shumë se një dekade në pushtet, PD ia drejton pyetjen kryeministrit Edi Rama: si është e mundur që grupe të organizuara të lëvizin me tetë automjete për të kërcënuar një sipërmarrje, ndërsa armët shkrepen dhe njerëzit vriten apo plagosen në rrugët e vendit? Sipas demokratëve, problemi nuk është vetëm krimi i dukshëm, por edhe pandëshkueshmëria dhe dobësimi i autoritetit shtetëror që i kanë dhënë kurajë botës së krimit të dalë hapur.
Deklarata thekson se tre ngjarje kaq të rënda brenda një dite nuk mund të maskohen pas propagandës së “Rilindjes 2.0”. Sipas PD-së, qytetarët nuk kanë nevojë për një version të ripërtërirë të sloganeve të vjetra, por për një shtet që kontrollon territorin, mbron jetën dhe pronën dhe nuk negocion autoritetin e tij me të fortët.
Duke paraqitur alternativën e saj, Partia Demokratike zotohet se në qeverisje do ta rikthejë sigurinë publike në krye të detyrave të shtetit. Ajo premton shkëputjen e çdo hallke mes politikës, policisë dhe botës së krimit, çlirimin e uniformave blu nga emërimet partiake dhe promovimin e profesionistëve mbi bazën e meritës dhe integritetit. Gjithashtu, synon të forcojë inteligjencën kriminale dhe hetimin proaktiv për të goditur grupet e organizuara përpara se ato të veprojnë, si dhe të godasë armëmbajtjen e paligjshme dhe asetet financiare të krimit.
Mesazhi përmbyllës i opozitës është i prerë: premtimi nuk është thjesht për një Shqipëri pa krime, por për një realitet ku krimi i druan autoriteteve dhe jo qytetarët krimit. Sipas PD-së, një shtet që mbërrin vetëm pasi arma është shkrepur nuk është një shtet që garanton siguri.
