Avni Dehari, kryesues i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, u ka bërë apel partive politike që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për formimin e institucioneve. Sipas tij, dështimi për të arritur një marrëveshje do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Të lidhura
None found
Dehari ka shprehur kritika ndaj disa deputetëve të opozitës, të cilët, siç pretendon ai, nuk po tregojnë vullnet për një ujdi politike dhe synojnë përshkallëzimin e situatës në seancën konstituive.
“Ka jo pak deputetë opozitarë që nuk duan kurrfarë marrëveshje politike për konstituim të institucioneve, dhe që duan incidente fizike në seancën konstituive”, ka deklaruar Dehari.
Ai i ka cilësuar zgjedhjet e reja si të panevojshme dhe të dëmshme, duke kërkuar nga subjektet politike një marrëveshje që do të mundësonte zhbllokimin e procesit institucional.
“Pa marrëveshje politike pashmangshëm shkojmë në zgjedhje të reja, të përsëritura, të panevojshme, të dëmshme. Duhet të arrihet marrëveshja politike. Këtë e kërkon Kushtetuta e Republikës dhe Gjykata Kushtetuese, këtë e pret populli i Kosovës dhe e ardhmja jonë”, ka thënë Dehari.
Apeli i tij vjen ndërsa konstituimi i Kuvendit vijon të mbetet i bllokuar dhe partitë politike nuk kanë gjetur ende një marrëveshje për kapërcimin e ngërçit institucional.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje siguroi 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18, ndërsa Aleanca 7.
