Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratave të ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, për vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Të lidhura
None found
Ajo ka hedhur poshtë vlerësimin se dënimet lidhen me “krime individuale ndaj komuniteteve të ndryshme”, duke argumentuar se rasti, sipas saj, përfshin një çështje shumë më të gjerë.
Çitaku ka vënë në dukje se gjatë proceseve gjyqësore në Hagë është shqyrtuar edhe pretendimi për ekzistencën e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”. Sipas saj, pikërisht ky element përbën thelbin dhe rëndësinë e vendimit.
“Qartazi, Ambasadori i nderuar as nuk e ka lexuar aktakuzën, as nuk e ka përcjellë procesin, e as nuk e ka dëgjuar aktvendimin e Gjykatës”, ka shkruar Çitaku.
“Sepse këtu nuk bëhet fjalë për dënime për vepra individuale. UÇK është cilësuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Ky është thelbi. Kjo është pesha e këtij vendimi. Dhe këtë nuk mund ta mbuloni me një fjali diplomatike”, ka vijuar ajo.
Më tej, Çitaku ka shprehur kritika ndaj mënyrës se si vendimi mund të paraqitet dhe të interpretohet në debatin politik.
“Mos na qitni hi syve. Ju mundeni me e pranu këtë vendim. Mundeni me e relativizu. Mundeni me e reduktu në katër emra dhe me vazhdu tutje, sikur asgjë nuk ka ndodhur”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka theksuar se nuk pranon që lufta e UÇK-së të përkufizohet përmes një gjuhe që, sipas saj, e vendos atë në të njëjtin plan me kriminalitetin.
“Po ne jo. Ne nuk kemi me heshtë derisa lufta jonë për liri të përshkruhet me gjuhën e kriminalitetit. Nuk kemi me e pranu që historia jonë të rishkruhet për komoditetin politik të askujt. Jo. Jo në emrin tim”, ka thënë Çitaku.
