Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për emigrimin, trafikun e drogës dhe zhvillimet politike në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Berisha vlerësoi rolin e diasporës shqiptare, duke deklaruar se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë ndihmuar në mbijetesën e kombit, në ruajtjen e lirive dhe në pasurimin e kulturës shqiptare.
Të lidhura
None found
Më pas, ai u ndal te largimi i qytetarëve nga Shqipëria, të cilin e përshkroi si një fenomen me pasoja të rënda për vendin dhe si një kërcënim ekzistencial për kombin.
Berisha iu referua edhe një studimi të Justin Gast, të realizuar në 149 vende, sipas të cilit emigracioni mund të sjellë një “rrjedhje demografike” dhe pasoja shumë serioze.
“Asnjë komb nuk mund dhe nuk duhet të jetë më krenar për diasporën e tij sesa kombi shqiptar. Diasporës i detyrohemi pothuajse mbijetesën tonë, liritë tona, si dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën tonë.
Por sot, për fat të keq, më duhet t’ju paraqes një tablo të tmerrshme, një efekt shkatërrues të emigracionit në vendin tim.
Në Shqipëri, kjo e ka vendosur kombin përballë një kërcënimi real ekzistencial. Aktualisht, në hapësirën e Bashkimit Evropian, sipas Eurostat-it, nga çdo 1 mijë shqiptarë, 466 jetojnë në vendet e BE-së. Imagjinoni se në çfarë gjendjeje ndodhemi”, u shpreh ai.
Kreu i PD-së e lidhi këtë situatë me qeverisjen, duke e cilësuar Shqipërinë si një “narkoshtet” dhe duke pretenduar se ky është i vetmi narkoshtet në botë, megjithëse, sipas tij, Europa ende nuk e ka njohur dhe vlerësuar në këtë mënyrë.
Ai deklaroi se Shqipëria është eksportuesja kryesore e kanabisit, ndërsa kartelet shqiptare të drogës, sipas tij, përbëjnë transportuesit më të mëdhenj të kokainës në Europë.
“Kjo është tërësisht pasojë e narkoshtetit shqiptar, i cili është narkoshteti i vetëm në botë, por fatkeqësisht ende i panjohur dhe i pavlerësuar si i tillë nga Evropa.
Shqipëria është eksportuesja e parë e kanabisit, ndërsa kartelet shqiptare të drogës janë transportuesit më të mëdhenj të kokainës në Evropë.
Për ta përmbyllur, është jetike një qëndrim ndërkombëtar ndaj këtij narkoshteti, për të shpëtuar kombin”, tha Berisha.
