Kosova ndodhet përballë një ngërçi të rëndësishëm institucional, pasi po afrohen afatet për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja. Nëse ky proces nuk përmbyllet në ditët e ardhshme, vendi mund të rikthehet në zgjedhje.
Të lidhura
None found
Juristi dhe analisti politik Blerim Burjani deklaron se moskonstituimi i Kuvendit do të pasohet nga zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
“Në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditëve”, ka thënë Burjani, duke nënvizuar se zhvillimet varen drejtpërdrejt nga konstituimi i Kuvendit.
Burjani shpjegon se, nëse Kuvendi arrin të formohet, institucionet do të kenë në dispozicion afate të përcaktuara për zgjedhjen e drejtuesve të rinj.
“Nëse konstituohet Kuvendi, atëherë 25 ditë janë në dispozicion për t’u zgjedhur Qeveria dhe 60 ditë kohë për t’u zgjedhur presidenti”, është shprehur ai.

Sipas tij, për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, zgjidhja më e favorshme është që fillimisht të sigurojë konstituimin e Kuvendit dhe më pas të vijojë me formimin e Qeverisë.
“Kurtit i bie mirë me konstitu Kuvendin, pastaj Qeverinë, pastaj ka kohë që presidenti të zgjedhet”, ka deklaruar Burjani.
Ai shton se një dështim i radhës në konstituimin e Kuvendit do ta linte Kosovën pa alternativë tjetër përveç organizimit të zgjedhjeve të reja.
“Në të kundërtën, shteti shkon në zgjedhje automatikisht”, ka përfunduar Burjani.
