Besnik Osmani është larguar nga dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Fushë Kosovë, pas dorëheqjes së tij nga kjo strukturë.
Lajmin e ka pohuar Ali Topalli, asamblist i LDK-së në Kuvendin Komunal të kësaj komune.
Të lidhura
None found
Sipas Topallit, ky vendim lidhet me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit 2026, si edhe me nevojën për reforma të brendshme në parti.
“Është e vërtetë që ka dhënë dorëheqje z. Osmani. Arsyet janë rezultatet jo të mira zgjedhore në LDK dhe nevoja për zgjedhje të përgjithshme në LDK”, ka thënë ai.
Osmani kishte qenë edhe kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës në zgjedhjet lokale të zhvilluara në fund të vitit të kaluar, por nuk kishte arritur ta mbante këtë komunë, e cila ishte konsideruar bastion i kësaj partie.
Deri tani, Besnik Osmani nuk është deklaruar publikisht në lidhje me dorëheqjen e tij.
