Ish-deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Të lidhura
None found
Ajo ka sqaruar se, që prej arrestimit të katër zyrtarëve të lartë të Republikës së Kosovës, përfshirë presidentin, kryetarin e Kuvendit dhe shefin e grupit parlamentar, ka zgjedhur të mos prononcohet për të respektuar drejtësinë dhe për të mos rënduar procesin gjyqësor.
Gaxherri thekson se vendimi i shpallur nga gjykata nuk është përfundimtar, pasi çështja mund të dërgohet në apel. Ajo pranon se nuk e ka pritur mirë dënimin, edhe pse ka qenë kundërshtare e fortë politike e figurave të dënuara.
Ish-deputetja thotë se nuk dëshiron të bëhet pjesë e reagimeve emocionale dhe as të luajë një rol patetik në atmosferën e euforisë publike, ku personalitete të ndryshme shfaqen në studio televizive apo protesta duke qarë dhe duke folur për dhimbjen e tyre.
Sipas saj, ruajtja e gjakftohtësisë është e domosdoshme për të shmangur rikthimin e kohëve të përplasjeve, sulmeve, akuzave dhe vrasjeve mes shqiptarëve, periudhë që, siç shprehet ajo, LDK-ja e ka përjetuar dhe mbajtur mbi shpinë.
Gaxherri ka kritikuar gjithashtu ata që e akuzojnë atë personalisht ose LDK-në, duke deklaruar se me këto qëndrime po i dëmtojnë më shumë personat që janë dënuar. Ajo u ka bërë thirrje të heshtin, nëse synojnë t’i mbrojnë këta njerëz, dhe të mos e përfshijnë në akuza.
Ajo ka deklaruar se respekton procesin, por njëkohësisht qëndron pas gjithçkaje që ka thënë me guxim gjatë më shumë se tri dekadave.
“Unë isha UÇK”, është shprehur Gaxherri, duke shtuar se LDK-ja e mobilizoi popullin për një dekadë, e përgatiti atë për luftë dhe organizoi luftën.
Sipas saj, kur nisi lufta në Kosovë, mbi 90% e popullatës ishte pjesë e LDK-së, ndërsa luftën e zhvilloi populli.
Gaxherri thotë se ka kaluar vetë nëpër ngjarjet e asaj kohe dhe se askush nuk mund t’ia mohojë të vërtetën. Në përfundim, ajo ka kërkuar që të punohet për të shpëtuar çfarëdo që mund të shpëtohet nga ky proces, pa prekur plagët e askujt, pasi askush nuk mund t’ua mbyllë gojën dhe as t’ua mohojë të drejtën për t’u mbrojtur.
