Ndërsa në Kuvend vijon përplasja ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe atyre të Vetëvendosjes, Bedri Hamza ka reaguar përmes një postimi në Facebook. Ai deklaroi se Kuvendi nuk i përket Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Të lidhura
None found
Sipas Hamzës, pushteti duhet ta thërrasë pa vonesë seancën për konstituimin e Kuvendit. Ai theksoi se përmbushja e këtij detyrimi kushtetues nuk mund të varet nga marrëveshjet politike, përllogaritjet elektorale apo interesat personale të cilitdo.
Hamza akuzoi Albin Kurtin se po e vonon procesin, pasi konstituimi i Kuvendit në këtë moment do t’ia cenonte kalkulimet politike. Sipas tij, zgjatja e vakumit institucional krijon gjithnjë e më shumë hapësirë për skenarë të tjerë politikë dhe zgjedhorë.
Ai e cilësoi këtë situatë si kapje brutale të shtetit, shkelje të Kushtetutës dhe degradim të institucionit të përfaqësuesve të zgjedhur nga populli. Hamza nënvizoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë këshilla që pushteti mund t’i zbatojë vetëm kur i përshtaten.
Në reagimin e tij, Hamza kërkoi thirrjen e seancës, respektimin e Kushtetutës dhe konstituimin e Kuvendit.
Ai paralajmëroi se gabon rëndë kushdo që mendon se mund ta lërë Kosovën në anarki kushtetuese dhe ligjore për të përmbushur kalkulimet e veta elektorale.
Hamza e përmbylli reagimin duke kërkuar që Kuvendi të konstituohet tani, menjëherë.
