Bashkimi Evropian ka konfirmuar sërish përkrahjen e tij për Dhomat e Specializuara, duke nënvizuar se ky institucion është i pavarur dhe se të dënuarit prej tij kanë të drejtën e ankesës.
Të lidhura
None found
Qëndrimi u shpreh nga zëdhënësi Kristijan Vigand, i pyetur për nismën e PDK-së në Prishtinë lidhur me ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara. Ai nuk dha koment të drejtpërdrejtë për propozimin, por u ndal te funksioni i kësaj gjykate, transmeton KosovaPress.
Në një konferencë për shtyp nga selia e BE-së në Bruksel, Vigand deklaroi se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion gjyqësor i pavarur, i krijuar me vendim të Kuvendit të Kosovës gjatë viteve 2014–2015 dhe që funksionon në kuadër të sistemit juridik të Kosovës.
Sipas tij, puna e këtij institucioni ka rëndësi për garantimin e drejtësisë dhe llogaridhënies ndaj viktimave dhe familjeve të tyre, nga të gjitha komunitetet e Kosovës.
Vigand rikujtoi gjithashtu se të dënuarit me vendim të shkallës së parë mund ta apelojnë aktgjykimin para gjyqtarëve të pavarur të apelit, në një panel të veçantë të Apelit të Dhomave të Specializuara.
Ai shtoi se mbështetja e Bashkimit Evropian për këtë gjykatë mbetet e pandryshuar dhe do të vazhdojë, duke vënë theksin te parimi i përgjegjësisë penale individuale.
