Bashkimi Evropian kundërshton ndryshimet në ligjin e Dhomave të Specializuara, Tahiraj dhe Makolli ngrenë shqetësime për pasojat në Kosovë

Bashkimi Evropian ka shprehur kundërshti ndaj ndryshimeve që Kuvendi i Kosovës miratoi më 6 tetor në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke kërkuar respektimin e pavarësisë dhe mandatit aktual të Gjykatës Speciale me seli në Hagë.

Të lidhura

None found

Në reagimin e publikuar më 8 tetor, zyrtarët e Brukselit nënvizuan se Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe se funksionimi i tyre duhet të sigurojë drejtësi për viktimat, llogaridhënie dhe mbrojtje të dëshmitarëve.

Ndryshimet e miratuara ligjore prekin çështje që lidhen me juridiksionin e gjykatës, vendosin kufizimin e dënimeve me burgim deri në 15 vjet dhe parashikojnë mundësinë që dënimet të vuhen në territorin e Kosovës.

Kjo nismë, e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, ka nxitur një debat politik mbi përputhshmërinë e ndryshimeve me detyrimet ndërkombëtare të vendit dhe ndikimin e tyre në mandatin e Gjykatës Speciale.

Image

Veprimtari Saim Tahiraj, në një deklaratë për “Bota sot”, ka kritikuar presionin politik që kërkon ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ai theksoi se drejtësia nuk duhet të jetë selektive dhe se vendimet gjyqësore duhet të kundërshtohen përmes rrugëve ligjore.

Tahiraj paralajmëroi se ndërhyrjet e bëra nën presionin e protestave mund të dëmtojnë besueshmërinë e institucioneve të Kosovës dhe vuri në dukje se qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë duhet të dëgjohen me vëmendje.

Sipas tij, ajo që ndodhi në Kosovë gjatë javëve të fundit nuk mund të shihet thjesht si një reagim emocional ndaj një vendimi gjyqësor. Pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale, u ushtrua një presion i fuqishëm politik dhe shoqëror për të ndryshuar ligjin mbi të cilin është ndërtuar dhe funksionon kjo gjykatë. Ai kujtoi se Kosova ka kaluar nëpër një histori të dhimbshme, ku gjatë dhe pas luftës u vranë njerëz edhe për motive politike dhe shumë familje ende presin drejtësi. Pikërisht për këtë, drejtësia nuk mund të jetë selektive dhe as të varet nga emri, pozita apo përkatësia e personit që gjykohet. Nëse një vendim gjyqësor konsiderohet i padrejtë, ai duhet të kundërshtohet përmes mjeteve juridike dhe instancave të përcaktuara me ligj. Drejtësia nuk mund të vendoset në rrugë dhe as të ndryshohen rregullat e një gjykate nën presionin e protestave.

Ai e quajti paradoks faktin që në emër të drejtësisë u kërkua ndërhyrje në një proces gjyqësor, ndërsa në emër të mbrojtjes së shtetit u ndërmor një hap që mund të dëmtojë vetë besueshmërinë e shtetit. Në këtë kontekst, ai tha se zëri i miqve ndërkombëtarë duhet të dëgjohet me shumë seriozitet.

Tahiraj theksoi gjithashtu se kundërshtimi i BE-së dhe shqetësimet e Ambasadës Gjermane për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë sinjale serioze që Kosova nuk duhet t’i anashkalojë, duke rikujtuar rëndësinë e partnerëve ndërkombëtarë në ndërtimin e shtetit.

Në vijim, ai vuri në dukje se Bashkimi Evropian ka deklaruar qartë se ndryshimet e miratuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara bien ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së. Sipas tij, BE-ja kërkoi që Kosova të respektojë pavarësinë e Dhomave të Specializuara dhe detyrimin për të siguruar përgjegjësi penale e drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Po ashtu, ai përmendi se Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë u shpreh thellësisht e shqetësuar, duke theksuar se Dhomat e Specializuara janë një institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar sipas ligjit të Kosovës dhe i mbështetur në Kushtetutën e Kosovës, prandaj pavarësia e tyre nuk duhet të cenohet. Këto, sipas tij, nuk janë deklarata që Kosova mund t’i injorojë, por sinjale serioze nga partnerët që kanë qenë pranë Kosovës në ditët më të vështira të historisë dhe që kanë ndihmuar në çlirimin, ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit.

Ai vlerësoi se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara rrezikojnë të cenojnë obligimet ndërkombëtare të Kosovës, besueshmërinë e institucioneve dhe marrëdhëniet me aleatët.

Gjithashtu, ai mbështeti qëndrimin e LDK-së kundër ndryshimeve, duke theksuar se drejtësia duhet të realizohet përmes gjykatave dhe jo nën presion politik.

Në fund të deklaratës së tij, Tahiraj tha se Kosova nuk mund të sillet sikur obligimet ndërkombëtare janë të vlefshme vetëm kur i përshtaten politikisht. Marrëveshjet dhe zotimet ndërkombëtare kanë vlerë pikërisht atëherë kur janë të vështira për t’u respektuar. Ai paralajmëroi se ndryshimi i ligjit në mënyrë që kufizon kompetencat e Speciales, prek mandatin e saj dhe parashikon mundësi që vendimet e saj të trajtohen ndryshe në Kosovë, rrezikon të krijojë përplasje me obligimet që shteti ka marrë përsipër.

Sipas tij, pasojat nuk duhet të nënvlerësohen. Nëse Kosova krijon përshtypjen se ndërhyn politikisht në një institucion gjyqësor ndërkombëtar të krijuar me ligjin dhe Kushtetutën e saj, kjo mund të dëmtojë besueshmërinë e institucioneve, sundimin e ligjit dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Në një kohë kur Kosova synon integrimin evropian dhe forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare, ky është një rrezik që nuk duhet marrë lehtë.

Ai shtoi se askujt nuk duhet t’i jepen argumente kundër Kosovës dhe se shteti duhet të jetë më i fortë se emocionet politike të momentit. Në këtë situatë, qëndrimi i LDK-së për të mos e mbështetur ndryshimin e ligjit vendosi përgjegjësinë shtetërore dhe obligimet ndërkombëtare përpara presionit politik të çastit.

Në mbyllje, ai theksoi se drejtësia duhet të vazhdojë punën e saj. Nëse dikush është fajtor, le të shpallet fajtor mbi bazën e provave; nëse dikush është i pafajshëm, le të lirohet mbi bazën e ligjit dhe drejtësisë. Për këtë ekzistojnë gjykatat dhe instancat e apelit. Kosova nuk e fitoi lirinë për ta zëvendësuar drejtësinë me presion politik. Shteti duhet të mbrohet duke respektuar ligjin, obligimet ndërkombëtare dhe besimin e miqve, sepse Kosova ka nevojë për aleatë, për institucione të besueshme dhe për një shtet që respekton fjalën e dhënë. Drejtësia nuk vendoset në rrugë, por në gjykatë, dhe shteti mbrohet duke respektuar ligjin, jo duke e ndryshuar atë sa herë që një vendim na dhemb.

Image

Analisti Vesel Makolli, në një bisedë për “Bota sot”, deklaroi se përgjegjësia për formimin e Gjykatës Speciale i takon vetë Kosovës, duke vënë në dukje mungesën e unitetit politik midis lëvizjes paqësore dhe krahut të luftës.

Ai kritikoi gjithashtu euforinë dhe qasjen folklorike në politikë, të cilat, sipas tij, i bëjnë qytetarët të mbështesin kauza që nuk janë domosdoshmërisht të dobishme për shtetin.

Makolli theksoi se të gjithë, përfshirë ata që protestuan dhe veçanërisht ata që morën rolin e udhëheqësve të protestës treditore, duhet ta dinë se për formimin e Gjykatës Speciale fajtorë jemi vetë, jo dikush tjetër, e sidomos jo ata që sollën lirinë – SHBA-ja dhe BE-ja. Sipas tij, nëse do të kishte pasur unitet të mirëfilltë midis lëvizjes paqësore të Dr. Ibrahim Rugovës, e cila krijoi institucionet shtetërore, e sensibilizoi çështjen e Kosovës në planin ndërkombëtar dhe i hapi rrugë intervenimit të NATO-s, dhe krahut të luftës me Adem Demaçin në krye, para, gjatë dhe pas luftës, kjo do ta kishte forcuar faktorin kombëtar e shtetëror dhe do ta kishte kursyer vendin nga shumë ngjarje tronditëse që vazhdojnë të kenë pasoja të thella në zhvillimet politike, shoqërore dhe institucionale.

Ai shtoi se uniteti i këtyre dy grupimeve në të mirë të Kosovës do t’i kishte pamundësuar zhvillimet me pasoja të rënda për shtetin, siç janë Plani i Ahtisaarit me Asociacionin, raporti i Dick Martyt, i cili ishte pararendës i Gjykatës Speciale, dhe rrjedhimisht nuk do të ishin shqiptuar dënimet e 16 shtatorit në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Makolli e përshkroi popullin si euforik dhe të zhytur thellë në indoktrinimin folkloriko-glorifikues, prandaj bie lehtë pre e kauzave të ndryshme, të cilat mund të jenë gjithçka, por jo domosdoshmërisht të dobishme për kombin dhe shtetin.

Ai i krahasoi protestat e fundit me episode të mëparshme të ngjashme, si ato të vitit 2004 dhe kundërshtimet ndaj marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, duke vlerësuar se këto zhvillime kanë ndikuar negativisht në proceset politike të Kosovës.

Gjithashtu, ai theksoi se ndryshimet ligjore nuk do të prodhonin efekte juridike ndaj Gjykatës Speciale, ndërsa protestat mund të kenë ndihmuar në tejkalimin e ngërçit institucional për zgjedhjen e presidentes.

Sipas Makollit, kauza e protestës ishte identike me ato të vitit 2004 dhe me kauzën kundër ratifikimit të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi. Të gjitha këto ndikuan negativisht në zhvillimet politike dhe në proceset që synonin finalizimin e shtetësisë së Kosovës. Ai shtoi se për secilin, e në veçanti për ata që merren me politikë, duhej të ishte e qartë se ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk do të prodhojë asnjë efekt juridik, gjegjësisht nuk do të mund të ndryshojë juridiksionin, mandatin apo funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të cilat e kanë bazën juridike në Kushtetutë dhe në legjislacionin përkatës.

Ai vlerësoi se mosmbështetja e ligjit nga Qeveria mund të ndihmojë në shmangien e përplasjeve me BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë. Ai bëri thirrje për përgjegjësi politike, konsolidim institucional dhe diplomaci aktive, duke theksuar se prioritet duhet të jenë integrimi evropian dhe forcimi i partneritetit me SHBA-në.

Në përmbyllje, Makolli tha se një aspekt tjetër me rëndësi është se Kosova zyrtare, përkatësisht Qeveria, de facto nuk e ka përkrahur këtë ligj. Kjo qasje krijon premisa që në vazhdim të shmangen përplasjet e panevojshme me BE-në dhe me miqtë e tjerë ndërkombëtarë, duke ruajtur marrëdhëniet e partneritetit dhe besimin e ndërtuar me ta.

Ai shtoi se pas dy vitesh vakum institucional, Kosova nuk ka më kohë për humbje, zvarritje dhe përplasje politike. Konsolidimi i institucioneve duhet të shënojë një fillim të ri, me përgjegjësi të plotë politike dhe angazhim maksimal nga Kryeministri dhe Presidentja e sapozgjedhur.

Makolli theksoi se është koha që institucionet e vendit të dëshmojnë vullnet politik, pjekuri shtetërore dhe përkushtim konkret ndaj interesave të Kosovës. Prioritet duhet të jenë zhvillimi i brendshëm, forcimi i demokracisë, përmirësimi i imazhit ndërkombëtar të vendit dhe rikthimi i besimit të partnerëve strategjikë, veçanërisht të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fund, ai tha se Kosova ka nevojë për diplomaci aktive, koordinim institucional dhe rezultate konkrete, jo vetëm për deklarata politike. Duhet të ndërmerren hapa të qartë për avancimin e integrimit evropian, thellimin e partneritetit me SHBA-në dhe përmbylljen e procesit të konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.


Shtuar më 11.10.2026 12:35