Qytetarët e Kosovës dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor mund të përdorin së shpejti telefoninë mobile në shtetet e Bashkimit Evropian pa kosto shtesë roamingu. Komisioni Evropian ka nisur bisedimet me gjashtë vendet e rajonit, me synimin që telefonatat dhe interneti mobil të tarifohen sipas paketave vendore. Zbatimi i kësaj mase synohet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.
Negociatat dypalëshe të hapura nga Komisioni Evropian kanë në fokus përfshirjen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në sistemin evropian të roamingut.
Të lidhura
None found
Nisma u bë e ditur nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në rajon në tetor të këtij viti. Përmes saj, qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mund të përdorin pajisjet e tyre celulare në BE pa tarifat shtesë që aplikohen aktualisht.
Udhëtarët nga Ballkani Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe ata që lëvizin në drejtimin e kundërt, do të kenë mundësi të bëjnë telefonata, të dërgojnë mesazhe dhe të shfrytëzojnë internetin mobil sipas kushteve të paketës së tyre në vend, pa pagesa shtesë roamingu.
Realizimi i kësaj nisme do të kalojë përmes disa etapave. Në fazën e parë, Komisioni Evropian do të zhvillojë negociata të veçanta me secilin prej gjashtë partnerëve të rajonit.
Vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të përafrojnë legjislacionin dhe rregullat e tyre me standardet e Bashkimit Evropian për roamingun. Në këtë proces përfshihen edhe aspektet rregullatore dhe bashkëpunimi mes operatorëve të telekomunikacionit.
Pas përfundimit të marrëveshjeve dypalëshe dhe verifikimit të përmbushjes së kërkesave evropiane nga vendet përkatëse, Komisioni Evropian do t’i propozojë Këshillit të BE-së zgjerimin e zonës së roamingut edhe për Ballkanin Perëndimor.
Synimi i Komisionit Evropian është që tarifat shtesë të roamingut të hiqen në fillim të vitit të ardhshëm.







