Agron Bajrami, kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, ka reaguar ndaj qëndrimit të publikuar nga European Democrats, ku kundërshtohet retorika e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për Kosovën.
Të lidhura
None found
Sipas European Democrats, Vuçiq ka deklaruar “edhe një herë se Kosova është pjesë e Serbisë”. Ata kanë vlerësuar se pohime të tilla cenojnë përpjekjet për pajtim dhe rrezikojnë stabilitetin në rajon.
Në reagim është përmendur gjithashtu deklarata e bërë vetëm disa ditë më parë nga ministrja serbe Snezhana Paunoviq, e cila kishte thënë se do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën në vitin 1998. European Democrats kanë nënvizuar se, ndonëse këto deklarata janë dënuar në Evropë, ato nuk kanë prodhuar pasoja politike.
Bajrami e shpërndau këtë qëndrim, duke e cilësuar si një sinjal me rëndësi për qasjen e Beogradit dhe për retorikën që, sipas tij, po e bllokon normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Beogradi vazhdon të mohojë realitetin, të mohojë të vërtetën dhe të riciklojë gjuhën e viteve 1990. Nuk mund të ketë dialog të besueshëm ndërsa njëra palë ende pretendon territorin e palës tjetër dhe ëndërron për përsëritjen e spastrimit etnik. Kosova nuk do të negociojë ekzistencën e saj”, shkroi Bajrami në “X”.
