Në 93-vjetorin e vrasjes së Hasan Prishtinës, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, nderoi kujtimin e tij, duke e përshkruar si një nga personalitetet që përcaktuan orientimin politik të lëvizjes kombëtare shqiptare në fillim të shekullit XX.
Haxhiu solli në vëmendje deklaratën e Hasan Prishtinës në Parlamentin Osman, në dhjetor të vitit 1910: “Unë jam gati të jap në çdo kohë jetën time për këtë atdhe”. Këto fjalë ai i kishte shqiptuar ndërsa kundërshtonte dhunën ndaj shqiptarëve, represionin në Kosovë dhe mbylljen e shkollave shqipe.
Të lidhura
None found
Siç u shpreh ajo, pas dy vjetësh Hasan Prishtina udhëhoqi Kryengritjen e vitit 1912, përmes së cilës kërkesat shqiptare u shndërruan në program politik dhe veprim konkret.
Sipas Haxhiut, në periudhën pas vitit 1912, pjesa dërrmuese e angazhimit të Hasan Prishtinës iu kushtua Kosovës dhe shqiptarëve të mbetur përtej kufijve të shtetit shqiptar.
U.D. Presidentja Haxhiu theksoi se Hasan Prishtina ishte mes udhëheqësve të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe se Kosova vazhdoi të ishte në qendër të veprimtarisë së tij politike edhe kur ai mori përgjegjësi të larta në Shqipëri. Ajo kujtoi se Hasan Prishtina u vra më 13 gusht 1933 në Selanik nga Ibrahim Çelo, duke lënë pas më shumë se dy dekada përpjekjesh politike për Kosovën dhe të drejtat e shqiptarëve.
