Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka reaguar ndaj qëndrimit të opozitës për zgjedhjen e presidentit. Sipas tij, opozita ka kundërshtuar disa alternativa të propozuara nga LVV-ja, mes tyre Glauk Konjufcën, Feride Rushitin dhe, së fundmi, prof. Bekim Sejdiun.
Të lidhura
None found
Rrustemi tha se kandidatura e Sejdiut ishte pjesë e një marrëveshjeje të miratuar nga kryesitë e LVV-së dhe LDK-së, por që më pas nuk u pranua. Ai kërkoi të dijë se cilat janë interesat e gjashtë personave që, sipas tij, po e çojnë Kosovën drejt kaosit dhe një tjetër krize institucionale.
Sipas Rrustemit, gjatë pranverës opozita kishte deklaruar se nuk do të lejonte që LVV-ja të mbante të tri pozitat.
Ai tha se opozitës iu kërkua të dërgonte tre emra, me zotimin se njëri prej tyre do të votohej nga LVV-ja, por përgjigjja ishte negative.
Pas kësaj, u tërhoq kandidatura e Glauk Konjufcës, ndërsa opozita, sipas tij, nuk paraqiti asnjë propozim.
Më pas, LVV-ja propozoi Feride Rushitin, si kandidate jo-partiake. Edhe kjo alternativë u kundërshtua me arsyetimin se nuk kishte pasur konsultime, duke sjellë sërish një përgjigje negative.
Rrustemi e përmblodhi situatën duke thënë se vendi shkoi në zgjedhje, ndërsa rezultati ishte pak a shumë i njëjtë.
Ai shtoi se negociatat e nisura më vonë çuan në një marrëveshje për prof. Bekim Sejdiun, e cila ishte pranuar nga dy kryesitë, ajo e LVV-së dhe e LDK-së. Megjithatë, edhe kjo marrëveshje u refuzua.
Deputeti ngriti pyetjen se kush janë gjashtë personat që, sipas tij, po e çojnë kaq lehtë vendin në kaos, duke kërkuar të dijë se çfarë shqetësimesh kanë dhe cili interes i udhëheq.
Rrustemi pyeti gjithashtu nëse është e mundur që këta njerëz ta kenë lidhur fatin e tyre personal me fatin e gjithë Kosovës.
