Kuvendi i ri i Kosovës miratoi të hënën një deklaratë për aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Të lidhura
None found
Tekstin, i cili kishte marrë më herët përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës dhe Grupit Parlamentar Multietnik, para deputetëve e lexoi kryeparlamentarja Albulena Haxhiu. Në votim, dokumenti u miratua me 99 vota pro, pa vota kundër dhe pa abstenime.
Paralelisht, në Kuvend është rihapur diskutimi për ndryshimet në ligjin që rregullon Dhomat e Specializuara të Kosovës. PDK-ja e paraqiti nismën javën e kaluar, pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, të cilët janë dënuar me gjithsej 81 vjet burgim.
Sipas projektligjit të PDK-së, juridiksioni i Dhomave të Specializuara do të kufizohej te veprat penale të përmendura në raportin e vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Raporti trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.
Propozimi parasheh gjithashtu ndryshimin e periudhës që mbulon juridiksioni i Gjykatës: në vend të janarit 1998 – dhjetorit 2000, të përfshihet intervali nga 1 korriku 1999 deri në dhjetor 2000. Një tjetër pikë përcakton se dënimi më i lartë që mund të shqiptohet do të ishte 15 vjet burgim.
PDK-ja kërkon edhe që dënimet e dhëna nga Dhomat e Specializuara të vuhet në Kosovë dhe që të dënuarit të mund të përfitojnë nga falja presidenciale.
Aleanca e ka mbështetur nismën, ndërsa Vetëvendosje ka thënë se para se të marrë qëndrim do ta analizojë projektligjin nga pikëpamja juridike. LDK-ja ende nuk ka njoftuar qëndrimin e saj zyrtar.
Ndryshe nga deklarata për aktgjykimin e Hagës, e cila u miratua me mbështetje të gjerë, ndryshimet e propozuara në ligj pritet të nxisin debat të ri politik dhe juridik mes partive.
Naim Miftari, ish-agjent i SHIK-ut dhe ish-epror i UÇK-së, e cilëson deklaratën e Kuvendit si të pavlefshme dhe humbje kohe. Ai thotë se Gjykata nuk mund të shpërbëhet pa një kërkesë zyrtare nga BE-ja dhe SHBA-ja, ndërsa falja e të dënuarve nga presidentja, sipas tij, nuk mund të realizohet as me ligjin aktual.
“Deklarata është vetëm humbje kohe, më shumë ka karakter folklorik dhe sidomos PDK-ja, e cila është fajtori kryesor që kemi këtë gjykatë sot, po tenton ta pastrojë vetveten si Pilati kur i lau duart pasi e kryqëzoi Jezusin e Nazaretit. Gjykata as që zhbëhet sot pa e kërkuar zyrtarisht Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, ndërsa qëllimi që t’i amnistojë presidenca më vonë, as me ligjin ekzistues nuk mund të bëhet dhe nuk kthehet më koha kur Hashim Thaçi kishte fuqinë e një perandori: ishte president, ishte kryeministër, ishte kryetar parlamenti, ishte ministër i Drejtësisë e ishte edhe kryeprokuror… I falte, i lironte kriminelë e dostat e tyre të dënuar për vrasje, ndërsa kur nuk ke pasur armik, je dënuar e ndjekur pa kurrfarë të drejte ligjore e njerëzore”, ka deklaruar Miftari për “Bota sot”.
Miftari foli edhe për pretendimet se Gjykata Speciale është serbe dhe ruse. Sipas tij, ata që votuan për themelimin e saj do të duhej të shpalleshin tradhtarë nëse këto pretendime do të ishin të vërteta.
“Kosova duhet ta apelojë vendimin e gjykatës, kaq me rëndësi. Ligji për krime kundër njerëzimit është rrëzuar, të tjerat janë më me pak dëme, por me rëndësi është se UÇK-ja nuk ka kryer krime as kundër njerëzimit, as të luftës, por ka individë e grupacione, klane që e kanë shfrytëzuar luftën, e kanë shfrytëzuar edhe uniformën e UÇK-së për t’i arritur qëllimet e tyre kriminale…!
Gjykata Speciale është formuar nga Parlamenti i Kosovës, po dëgjoj sot patriotë me bateria e multimilionerë të korrupsionit e disa profiterë të luftës po thonë se kjo gjykatë me Dhomat e Specializuara në Hagë është gjykatë serbe e gjykatë ruse, por kjo është një rren, pasi po të ishte ashtu, atëherë sot në Kosovë do të duhej së pari të dënoheshin të gjithë 84 deputetët e Kuvendit të Kosovës si tradhtarë, si dorë e zgjatur e Serbisë e Rusisë. Tek tani ke të drejtë ta quash GJSPK-në gjykatë serbo-ruse”, ka thënë ish-eprori.
Sipas tij, asnjë luftëtar apo komandant i UÇK-së nuk akuzohet dhe nuk dënohet për shkak se ka luftuar për lirinë e popullit ose ka zhvilluar luftë të pastër.
Miftari kërkon që Kosova të krijojë një komision të pavarur hetimor për të hulumtuar ndikimin e shërbimeve sekrete. Ai pretendon se prokurorët dhe gjyqtarët janë amerikanë, evropianë e zviceranë dhe se askush nuk dënohet pa prova.
“Gjykatësit, të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët janë amerikanë, janë evropianë, janë zviceranë… Asnjë njeri, individ, nuk dënohet pa fakte, pa dëshmi. Asnjë luftëtar e komandant i UÇK-së as nuk akuzohet, as nuk dënohet pse ka bërë luftë të pastër dhe ka luftuar për lirinë e popullit tonë.
Kosova, si shtet, duhet ta formojë një komision të pavarur hetues, ta gjurmojë e studiojë ndikimin e madh të shërbimit sekret të UDB-KOS-it serb dhe shërbimin sekret pro-serb, shërbimin DGSE francez, disa individë kryesorë të UÇK-së politike si vetë Hashim Thaçi duhet të japin shpjegime: ku ishte, kush i solli dhe qëllimin pse i sollën pas luftës në pushtet, pasi pothuajse gjatë luftës, rastësisht apo jo rastësisht, u vranë pothuajse të gjithë komandantët kryesorë të luftës, komandantët e UÇK-së, komandantët e betejave. Pse nuk u vra asnjë komandant i Hotel Rognerit apo pse nuk është vrarë asnjë komandant i Fondit “Vendlindja Thërret”, që pas luftës të gjithë u bënë multimilionerë e politikanë…?”, ka përfunduar Miftari.
