Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol kyç në rrugën drejt pavarësisë së Kosovës dhe e kanë njohur atë një ditë pas shpalljes nga udhëheqësit e vendit më 17 shkurt 2008. Ndërsa Kosova po feston pavarësinë, marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe qeverisë së vendit, që shpesh ka konsideruar si një ndër partnerët më pro-amerikanë në botë, aktualisht janë në pikën më të ulët.
Materiali sjell një vështrim mbi lidhjet Amerikë – Kosovë, nga përkushtimi amerikan se do të jetë përkrahë Kosovës përgjithmonë deri te vënia në dyshim e partneritetit mes qeverive të të dy vendeve.
Çdo datë me peshë në historinë moderne të Kosovës ka lidhje me përkrahjen amerikane. Pavarësisht se cila parti udhëhiqte Shtëpinë e Bardhë dhe megjithë konfliktet e brendshme politike amerikane, përkrahja ka qenë dypartiake.
“Ne dhe aleatët tanë të NATO-s kemi filluar bombardimet vetëm pas përpjekjeve të përsëritura për të gjetur një zgjidhje paqësore të krizës në Kosovë”, ka thënë ish presidenti amerikan Bill Clinton më 24 Mars 1999.
Nga sulmet ajrore të NATO-s e deri te shpallja e pavarësisë dhe sigurimi i njohjeve që janë arritur deri më tani, Uashingtoni ka luajtur rol kyç në këto procese.
“Pavarësia është qëllimi dhe kjo është ajo që populli i Kosovës duhet ta dijë”, tha Presidenti George W. Bush në Tiranë në qershorin e vitit 2007, rreth 8 muaj para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa u bë Presidenti i parë amerikan i cili vizitonte Shqipërinë.
Një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Sekretarja amerikane e Shtetit, Condolezza Rice përmes një deklarate njoftoi se Uashingtoni njeh pavarësinë e Kosovës.
Në përfundim të deklaratës thuhet: “Ndërsa Kosova fillon jetën e saj si shtet i pavarur, Shtetet e Bashkuara zotohen se do të vazhdojnë të jenë miku dhe partneri i saj i ngushtë.”
Në korrikun e atij viti, Presidenti Bush priti në Shtëpinë e Bardhë, homologun nga Kosova Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi, duke bërë këtë zotim:
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me kombet që nuk e kanë njohur Kosovën që t’i bindim ta bëjnë këtë sa më shpejtë”, tha Presidenti Bush.
“Unë besoj fuqishëm në pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës dhe aspiratën e saj për t’u bërë partner i plotë në bashkësinë ndërkombëtare dhe anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, tha Hillary Clinton ndërsa ishte Sekretare e Shtetit në administratwn e parë të Presidentit Barack Obama.
Disa vite më pas, lidhjet e qeverisë së Kosovës me Uashingtonin kanë pësuar lëkundjen më të madhe, siç u konfirmua gjatë intervistës së Ndihmës Sekretarit për Evropën James O’Brien me Zërin e Amerikës:
“Nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.
Në Prishtinë, qeveria po e trajton këtë deklaratë sikur të mos jetë bërë. Kryeministri Albin Kurti, që është në qendër të mesazheve të zotit O’Brien, foli në Prizren një ditë më pas duke thënë se marrëdhëniet SHBA-Kosovë janë të padëmtuara. Ai megjithatë la të kuptohej se nuk tërhiqet nga vendimi që shkaktoi tensionet e fundit me SHBA-të, heqja e dinarit serb nga përdorimi në Kosovë.
“Unë jam i shqetësuar se deklarimet publike të qeverisë së Kosovës sugjerojnë se partneriteti me SHBA-të nuk do të ndikohet nga kjo situatë. Unë duhet të jem i qartë: kjo thjeshtë nuk është e vërtetë”, sqarojë të enjten Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovernier.
Qeveria e zotit Kurti megjithatë ka miq në Kongres që nuk pajtohen me qasjen e qeverisë amerikane.
“Unë nuk jam dakord me qasjen e qeverisë amerikane. Është tjetër gjë t’i shprehësh shqetësimet privatisht një aleati, që është plotësisht e përshtatshme dhe diçka tjetër të turpërosh publikisht dhe të nënvlerësosh një aleat”, tha për Zërin e Amerikës në Uashington, ligjvënësi Richie Torres që është edhe udhëheqës i çështjeve shqiptare në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Jam i lumtur që jam këtu jo vetëm në ditën që ju po festoni pavarësinë, por edhe që kjo përkon me ditën e Shën Valentinit. Pra është një ditë dashurie të dyfishtë”, tha Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar më 14 shkurt, ditën kur Ambasada e Kosovës në Uashington organizoi pritje në Biblotekën e Kongresit për të shënuar 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Atmosfera në këtë ngjarje të krijonte përshtypjen se gjithçka është në rregull në marrëdhëniet në mes të dy vendeve. Por, zoti Escobar e bëri një sqarim për këtë në fjalimin e tij:
“Shtetet e Bashkuara janë dhe do të jenë gjithmonë mbrojtësi më i fortë i Kosovës; shteti më pro Kosovës në botë. Marrëdhënia jonë është me popullin e Kosovës, jo me një person apo një parti. Kur Kosova të jetë gati për një marrëdhënie më të ngushtë, ne do të jemi gjithmonë gati dhe shpresojmë që ajo ditë të vijë përsëri shumë shpejt”, tha zoti Escobar.
“Nevoja për të promovuar njohjen e Kosovës është politikë amerikane dhe ka qenë që nga pavarësimi i Kosovës. Zbatimi i kësaj politike me besnikëri nuk duhet të varet kurrë nëse Departamenti i Shtetit ka simpati për kryeministrin”, tha ligjvënësi Torres i cili zëvendësoi bashkë-udhëheqësin e mëparshëm të çështjeve shqiptare në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel.
Ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli në një fjalim 11 minutësh, e përmendi herë drejtpërdrejtë e herë jo, pothuajse 10 herë partneritetin e Kosovës me aleatët.
“Kosova i përmbahet zotimit të mishëruar në Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën tonë, të cilën e kemi hartuar së bashku me partnerët tanë më të afërt”, tha ndër të tjera Ambasadori Dugolli.
Kjo nuk është hera e parë që SHBA ka shprehur shqetësim për mungesë partneriteti nga qeveria e zotit Kurti. Më 30 maj të vitit të kaluar, Uashingtoni pezulloi pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023”. Kjo ndodhi për shkak të mos-bashkërëndimit të veprimeve të qeverisë së zotit Albin Kurti me perëndimin në veri të Kosovës.
Në atë periudhë dhe sidomos pas sulmit në Banjskë, përkrahja për Kosovën u rrit, ashtu siç u rritën edhe kritikat për perëndimin se politika e saj e ka gabim, që përdor gjuhë të ashpër dhe ka vendosur masa kufizuese ndaj Prishtinës dhe nuk e bën këtë me Serbinë, që vazhdon të bashkëpunojë me Moskën. Beogradi është i vetmi që ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve të BE-së pas agresionit të Rusisë në Ukrainë. Është gjithashtu i vetmi vend evropian, veç Bjellorusisë që vazhdon të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Moskën.
Më 14 shkurt, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç njoftoi se vendi i tij ka marrë një sasi të re armatimi nga Moska.
“Mendoj se qeveria amerikane duhet të mendojë sërish se çfarë po ndodh realisht në Ballkan dhe cila është situata midis vendeve të ndryshme dhe të ketë një këndvështrim më realist për këtë”, tha për Zërin e Amerikës ish ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie i cili ka shërbyer në Kosovë nga viti 2015 deri më 2018.
Situata ndryshoi me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit serb në Kosovë.
“Kosova duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje dhe të mendojë se sa të rëndësishëm janë vërtet miqtë për begatinë dhe lirinë e saj të vazhdueshme”, tha ambasadori Greg Delawie për Zërin e Amerikës.
Asnjë zyrtar amerikan, deri më tani, nuk ka thënë diçka konkrete për masa të mundshme kufizuese ndaj qeverisë së zotit Kurti, por shqetësimi tjetër është nëse kjo nënkupton një ndryshim më të thellë të politikës së jashtme amerikane ndaj Kosovës.
“Duket se ka pasur një përkeqësim të marrëdhënieve mes qeverisë së Kosovës dhe Departamentit të Shtetit. Por nuk shoh asnjë dëshmi se ka pasur një ndryshim në bazat e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në dhe politikës amerikane ndaj Kosovës”, tha ligjvënësi demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, Richie Torres.