Komisioni Teologjik Ndërkombëtar i Vatikanit propozon që dëmtimi i natyrës të përkufizohet si “mëkat kundër krijimit dhe Krijuesit”, duke e lidhur mbrojtjen e mjedisit me përgjegjësinë e besimit të krishterë.
Të lidhura
None found
Në dokumentin e ri me titull “Të kujdesemi për Shtëpinë tonë të përbashkët”, teologët vatikanezë argumentojnë se njeriu mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për përkeqësimin e mjedisit. Sipas tyre, dëmtimi i natyrës nuk mund të ndahet nga përgjegjësia ndaj Zotit.
Për këtë arsye, Komisioni përdor shprehjen “mëkat kundër krijimit dhe Krijuesit”, duke mos parapëlqyer terma të tillë si “mëkat ekologjik” ose “ekocid”.
Dokumenti nënvizon se kriza mjedisore sjell pasoja të prekshme dhe shpesh dramatike. Ndotja, shkatërrimi i ekosistemeve dhe ndryshimet klimatike rëndojnë veçanërisht mbi shtresat më të varfra dhe, sipas Vatikanit, kanë shkaktuar edhe humbje të shumta jetësh.
Teologët bëjnë gjithashtu thirrje për rishikimin e mënyrës së jetesës dhe të konsumit. Kujdesi ndaj planetit, theksohet në dokument, nuk përbën vetëm një detyrim moral, por edhe një përgjegjësi shpirtërore.
