Ish-ministrja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, ka kritikuar mënyrën se si institucionet dhe qeveria po përballen me problematikat që prekin jetën e përditshme të qytetarëve.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Meksi ka vënë në pikëpyetje nismat “BESA”, “Prania Besnike”, “PasqyrAlbania” dhe “Radar”, duke kërkuar të dijë se kush është përgjegjës për zgjidhjen konkrete të halleve të qytetarëve.
Të lidhura
None found
Ajo rendit shqetësime që lidhen me sigurinë dhe administrimin e pallateve, funksionimin e ashensorëve, kanalizimet dhe zhvillimin e infrastrukturës urbane.
Sipas saj, qytetarët nuk duhet të varen nga ndërhyrjet e politikanëve për çështje që u takojnë institucioneve publike. Meksi thekson se zgjidhjet e qëndrueshme dhe në përputhje me ligjin mund të garantohen vetëm përmes institucioneve përgjegjëse.
Ish-ministrja kërkon që pushteti vendor të ketë më shumë kompetenca dhe përgjegjësi, në mënyrë që vendimmarrja dhe shërbimet të jenë më pranë komunitetit.
Reagimi i ish-ministres së PS-së, Ermelinda Meksi
“BESA”, “Prania Besnike”, “PasqyrAlbania”, “Radar” — po institucionet kush i zgjidh hallet?
Është e drejtë që qytetarët të shqetësohen për sigurinë në hotele, në rrugë dhe në hapësirat publike. Por një pyetje tjetër mbetet e rëndësishme: sa të mbrojtur ndihemi në pallatet ku banojmë?
Një shembull janë ashensorët, ku një pjesë rezultojnë të pakolauduar. Banorët paguajnë për mirëmbajtjen e tyre, por kush verifikon nëse shërbimi ofrohet nga persona të licencuar, çfarë ndërhyrjesh kryhen në të vërtetë dhe kush përgjigjet për zbatimin e ligjit për administrimin e banesave? Në rastet kur banorët, për arsye të ndryshme, nuk kanë zgjedhur administrator, a nuk duhet bashkia të marrë masa për të siguruar administrimin dhe mbrojtjen e hapësirave të përbashkëta?
Një tjetër problem janë pusetat e ujërave të zeza, të cilat në disa raste nuk pastrohen prej vitesh. Mjafton një reshje shiu që zona të përmbytet dhe të mbushet me erë të rëndë. Para disa ditësh, në një rast të tillë, përgjegjësi i zonës u tha banorëve: “Mos hidhni letra në ËC”. Një banor iu përgjigj me humor se dikur hidhnin edhe gazeta, por pusetat pastroheshin rregullisht dhe përmbytjet nuk ndodhnin. Pas kësaj batute qëndron një çështje serioze: kush duhet të kujdeset për mirëmbajtjen dhe parandalimin e një situate që përsëritet prej vitesh?
Po ashtu, çfarë ndodh kur përballë një pallati ndërtohet papritur një kullë, duke ndryshuar mjedisin e banimit dhe duke shtuar ngarkesën mbi një infrastrukturë që nuk është planifikuar për një dendësi të tillë?
Kur blenë apartamentet, banorët morën në konsideratë edhe distancën nga ndërtesat e tjera, hapësirën, ndriçimin dhe qetësinë. Kush mban përgjegjësi kur këto kushte ndryshojnë, pa u vlerësuar siç duhet kapaciteti i infrastrukturës dhe interesi i banorëve?
Pikërisht për këtë arsye shtrohet pyetja se çfarë zgjidhjeje do të ofrojnë “BESA”, “Prania Besnike”, “PasqyrAlbania” dhe “Radar” për këto problematika. A do të ndihmojnë në forcimin e institucioneve dhe të llogaridhënies, apo do të shndërrohen në togfjalësha të rinj politikë që përsëriten nga deputetët, ndërsa qytetarët vazhdojnë të kërkojnë ndërhyrje individuale për një të drejtë që shteti duhet t’ua garantojë?
Skepticizmi bëhet edhe më i kuptueshëm kur disa prej këtyre nismave shoqërohen edhe me hapjen e zyrave të posaçme.
Qytetari nuk duhet trajtuar si një “rast” që politikani duhet të ndjekë, por si një person me të drejta. Detyrimi për t’i garantuar këto të drejta, në përputhje me ligjin dhe interesin publik, u takon institucioneve.
Ndërhyrja e politikanit mund të bëjë që një shqetësim të dëgjohet, por zgjidhjen e tij mund ta japë vetëm institucioni përgjegjës.
Më shumë se “Prani Besnike”, qytetarëve u nevojitet përgjegjësi institucionale.
P.S. Një pjesë e madhe e problemeve të përditshme të qytetarëve lidhet drejtpërdrejt me pushtetin vendor. Për këtë arsye, duhet të kërkohen më shumë kompetenca, përgjegjësi dhe një rol real për këshilltarët vendorë, të cilët janë përfaqësuesit më pranë komunitetit. Zgjidhja nuk qëndron te dërgimi i çdo problemi te qeveria dhe kryeministri, por te afërsia e vendimmarrjes dhe përgjegjësisë me qytetarin.
E. Meksi, 4 shtator 2026
