Familja e Erin Piacentit ka bërë publike detaje prekëse për 32-vjeçaren, e cila humbi jetën në sulmin me thikë në Times Square, në qendër të New York-ut.
Të lidhura
None found
Erin Piacenti, zv/presidente në Bank of America, njihej jo vetëm për suksesin profesional, por edhe si bashkëshorte e përkushtuar, vajzë e dashur dhe nënë e re. Ajo la pas vajzën e saj Madison, vetëm pesë muajshe.
“Jeta e Erin nuk u përcaktua nga rrethanat e vdekjes së saj, por nga mënyra se si ajo e jetoi atë”, deklaroi familja e 32-vjeçares.
Sipas të afërmve, Erin ishte shumë e lidhur me familjen dhe miqtë, e aftë në punën e saj dhe një njeri që përcillte ngrohtësi e energji te të gjithë ata që e rrethonin.
“Të bëhej nënë ishte dëshira më e madhe e jetës së saj, ndërsa Madison i solli gëzimin më të madh të mundshëm”, thuhet në faqen e fushatës së mbledhjes së fondeve të hapur për të ardhmen e vajzës.
Erin dhe bashkëshorti i saj, Frank Piacenti, ishin takuar gjatë studimeve në Fordham University Law School. Më vonë, të dy ndoqën karriera në fushën e ligjit dhe biznesit.
Çifti u martua më 10 gusht 2024 dhe po jetonte periudhën e krijimit të familjes që kishte ëndërruar. Ata kishin festuar përvjetorin e martesës, ishin kthyer nga një udhëtim familjar dhe po planifikonin të ardhmen me vajzën e tyre të porsalindur.
Një vit më parë, Erin dhe Frank kishin blerë shtëpinë e tyre të parë në Chester, New Jersey, ku kishin nisur të ndërtonin jetën familjare.
“Të dy po përgatiteshin të ndërtonin një jetë me vajzën e tyre. Ajo jetë ndryshoi në mënyrë të paimagjinueshme në një çast”, u shpreh familja.
Tani, familjarët janë të shqetësuar për të ardhmen e Madison, e cila do të rritet pa praninë e nënës. Për këtë arsye është krijuar një fushatë financimi, përmes së cilës u bëhet thirrje njerëzve që duan të nderojnë kujtimin e Erin të kontribuojnë për të ardhmen e vajzës së vogël.
Humbja e Erin ka prekur thellë edhe kolegët e saj në Bank of America. Ajo kishte punuar për rreth 18 muaj si zv/presidente në grupin e përzgjedhjes së biznesit dhe konflikteve.
Kolegët e kujtojnë si një profesioniste të zonjën dhe të dashur. Edhe banka shprehu dhimbjen për ndarjen nga jeta të “një kolegeje dhe mike të çmuar”.
Sipas autoriteteve, Erin Piacenti u godit me thikë nga Pamela Cisneros, 49 vjeçe, nënë e tre fëmijëve nga Queens, e cila kishte pasur probleme kronike të shëndetit mendor.
Nga i njëjti sulm mbeti i plagosur rëndë edhe Tak Kam, 68 vjeç, baba nga Rhode Island.
Efektivët e policisë së New York-ut qëlluan për vdekje Cisnerosin pasi, sipas autoriteteve, ajo tentoi t’i sulmonte duke mbajtur nga një thikë në secilën dorë.
Erin u vra pikërisht kur kishte nisur të ndërtonte familjen e saj të ëndërruar. Ajo la pas bashkëshortin dhe vajzën e vogël, e cila në të ardhmen do ta njohë nënën përmes kujtimeve të njerëzve që e deshën.
