Një grup prej 11 vendesh anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Austrinë, po i bëjnë thirrje bllokut të heqë dorë gradualisht nga unanimiteti në fushën e politikës së jashtme, duke e zëvendësuar atë me një sistem votimi me shumicë të cilësuar.
Të lidhura
None found
Përmes një komunikate zyrtare drejtuar Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kaja Kallas, këto shtete argumentojnë se fryma e marrëveshjes është thelbësore për besueshmërinë e Unionit, por nuk duhet të kthehet në mjet për të bllokuar nismat e përbashkëta. “Duhet të garantojmë që kjo frymë konsensuale të inkurajojë veprimin e përbashkët, e jo ta ndalojë atë – përndryshe rrezikojmë të kemi legjitimitet pa forcë reale,” citohet në dokument.
Në bazë të kuadrit ligjor aktual, çdo vendim në sferën e jashtme kërkon miratim unanim, çka i jep secilit shtet të drejtën e vetos për të penguar një qëndrim të mbështetur nga shumica. Ky mekanizëm është përdorur në mënyrë të përsëritur nga ish-kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili e ka instrumentalizuar të drejtën e bllokimit për të siguruar koncesione nga partnerët europianë.
Nisma e 11 vendeve propozon vënien në punë të një “klauzole urë” të parashikuar nga Neni 31, e cila do të lejonte braktisjen e unanimitetit në favor të shumicës së cilësuar në raste të veçanta. Përkrahësit e këtij reformimi theksojnë se ai do të përshpejtonte proceset dhe do të shmangte ngecjet, ndërsa disa shtete më të vogla, që qëndrojnë kundër, shprehin frikën se do të humbnin një levë të fuqishme për mbrojtjen e interesave të tyre kombëtare. Reforma megjithatë ndeshet me një dilemë procedurale: vetë vendimi për të hequr unanimitetin duhet të merret unanimisht, duke u lënë kështu hapësirë kundërshtarëve ta bllokojnë atë që në fillim.
Në një zhvillim paralel, Gjermania dhe Franca kanë depozituar një propozim për të fuqizuar pozitën e Kaja Kallas në politikën e jashtme të BE-së, duke e vendosur atë nën autoritetin direkt të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
