Dan Driscoll, sekretari i Ushtrisë Amerikane dhe zyrtari politik më i lartë i kësaj force, i ka paraqitur dorëheqjen presidentit amerikan, Donald Trump. Vendimi u mor pas një konflikti disa muajsh, të zhvilluar kryesisht jashtë vëmendjes publike dhe të lidhur me ndryshimet e thella në nivelet e larta të drejtimit ushtarak.
Të lidhura
None found
Në qendër të përplasjes ishte marrëdhënia e tij me sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth. Të dy janë përplasur vazhdimisht për largimin e zyrtarëve të lartë të Ushtrisë, mes të cilëve kishte edhe figura me përvojë të konsiderueshme operacionale në frontet ku SHBA-ja ka luftuar gjatë dy dekadave të fundit.
Mospajtimet shkonin përtej vizioneve të ndryshme për të ardhmen e Ushtrisë. Ato prekën vetë hierarkinë ushtarake, si edhe mënyrën e përzgjedhjes dhe promovimit të oficerëve të lartë.
Një nga episodet më serioze ndodhi kur Driscoll refuzoi të hiqte nga lista e promovimeve emrat e disa oficerëve. Ky qëndrim solli ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Hegseth.
Përplasja erdhi pas largimit të një prej bashkëpunëtorëve të afërt të sekretarit të Ushtrisë. Në prill, para përfundimit të mandatit të tij, u shkarkua edhe shefi i Shtabit të Ushtrisë, gjenerali Randy George.
Rasti i George nuk përfaqësonte thjesht një ndryshim në krye të hierarkisë. Ai ishte pjesë e një vargu largimesh që ka ulur ndjeshëm numrin e gjeneralëve me katër yje në Ushtrinë amerikane. Nga dhjetë gjeneralë që mbanin këto poste në janar 2025, tashmë kanë mbetur vetëm pesë.
Dorëheqja e Driscoll ka peshë të veçantë edhe për shkak të rolit të tij politik. Ai nuk ishte një figurë periferike në administratën Trump, por kishte një marrëdhënie të ngushtë personale me nënpresidentin J.D. Vance dhe kishte marrë përsipër përgjegjësi që shkonin përtej kufijve formalë të detyrës së tij.
Qeveria amerikane e kishte angazhuar Driscollin edhe në kontakte që lidhen me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Brenda Ushtrisë, ndërkohë, ai ishte ngarkuar me përshpejtimin e përshtatjes ndaj luftës moderne, përfshirë përdorimin masiv të dronëve, sistemeve më të lira të armatimit dhe integrimin më të shpejtë të teknologjive të reja.
Për një periudhë, emri i tij ishte përmendur madje si një alternativë e mundshme për postin që mban vetë Hegseth.
Shtëpia e Bardhë mbajti një profil të ulët për largimin e tij. Njoftimi zyrtar nuk përmendi konfliktet që i paraprinë dorëheqjes, por vuri në dukje kontributin e Driscoll në gatishmërinë operacionale dhe misionet e kryera prej tij në emër të qeverisë.
Megjithatë, largimi i tij nuk mund të shihet i shkëputur nga zhvillimet e muajve të fundit në Pentagon.
Ky është një tjetër largim nga drejtimi i Pentagonit, në një kohë kur riorganizimi i figurave dhe balancave nën presidencën e Donald Trump po shkakton përplasje të forta brenda Forcave të Armatosura të SHBA-së.
Administrata Trump po riformëson me shpejtësi jo vetëm figurat në poste, por edhe vetë strukturën e drejtimit të ushtrisë amerikane. Largimi i një sekretari që deri vonë kishte akses të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë tregon se përplasja për atë se kush do të përcaktojë të ardhmen e Ushtrisë amerikane ka arritur kulmin.
