Një anije u përfshi nga zjarri pasi u godit nga një raketë me origjinë të paqartë në Gjirin Persik, në afërsi të brigjeve iraniane, bëri të ditur Organizata Britanike e Sigurisë Detare (UKMTO).
Sulmi ndodhi dje në mbrëmje, rreth 40 milje detare në jug të ishullit iranian Laban, në një zonë ku tensionet detare janë rritur dhe ku janë shënuar disa sulme ndaj anijeve tregtare.
Të lidhura
None found
UKMTO, agjenci që vepron në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, konfirmoi se të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë të sigurt. Deri në këtë fazë nuk është raportuar për ndotje apo pasoja mjedisore, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë të ditur as emrin e anijes dhe as origjinën e raketës.
Ndërkohë, të premten Omani njoftoi se kishte shpëtuar 25 pjesëtarë të ekuipazhit të një tjetër anijeje tregtare, e cila ishte sulmuar pranë brigjeve të tij.
Monitorimi i situatës vijon, ndërsa anijeve që ndodhen në këtë zonë u është kërkuar të tregojnë kujdes të shtuar dhe të njoftojnë pa vonesë për çdo veprim të dyshimtë.








