Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka mohuar çdo përfshirje të Shqipërisë në skenarë të mundshëm destabilizues në Malin e Zi, pas raportimeve të mediave malazeze se Serbia dhe Shqipëria, mund të jenë vendet që kishte parasysh kryeministri Milojko Spajiç kur foli për veprimtari hibride.
Sipas Hoxhës, deklarata e kreut të qeverisë malazeze dhe interpretimet që pasuan në media duhet të vlerësohen me kujdes, pasi ndaj Shqipërisë nuk është bërë asnjë akuzë zyrtare.
Të lidhura
None found
“Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në BE, dhe as askund tjetër”, deklaroi ministri Hoxha.
Ai nënvizoi se Tirana ndjek një qasje të kundërt, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit, mirëkuptimit, stabilitetit dhe zhvillimit rajonal, krahas angazhimit për bashkëpunim më të gjerë evropian dhe euroatlantik.
Ministri paralajmëroi se debatet politike të brendshme dhe interpretimet mediatike në një shtet fqinj nuk duhet të përdoren për të krijuar në mënyrë artificiale përplasje mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, në të gjitha nivelet, dhe këtë kam bërë edhe në këtë rast, në komunikimet që kam pasur me ZvKM dhe MPJ, Ibrahimović, si dhe me ZvKM, Nik Gjeloshaj”, u shpreh ai.
Hoxha tha se edhe aktorët politikë shqiptarë mund t’i drejtohen Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për çdo të dhënë të nevojshme, me qëllim shmangien e diskutimeve të panevojshme.
“Politika e jashtme kërkon gjithnjë qetësi, maturi dhe përgjegjësi”, përfundoi Hoxha.
Raportimet e medias malazeze “Vijesti”, të bazuara në burime të saj, flasin për zyrtarë nga të paktën dy vende të rajonit.
Ndërkohë, kryeministri Spajiç ka deklaruar se autoritetet e Malit të Zi kanë informacione serioze operative të sigurisë, sipas të cilave mbyllja e pritshme e kapitujve të rinj në negociatat me Bashkimin Evropian mund të pasohet nga veprimtari hibride të bashkërenduara.
