Shiste kokainë për 3500-7000 lekë, kapet 38-vjeçari i rrezikshëm në Tiranë (VIDEO)

Finalizohet operacioni policor i koduar “Detonatori”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Shpërndante lëndë narkotike kokainë në doza, në zona të ndryshme të Tiranës, vihet në pranga 38-vjeçari.

Gjatë kontrollit në banesën e 38-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, ndezës detonatorë për granata, dy karta identifikimi policie të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Shërbimet e Seksionit për Narkotikët në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, kanë mirorganizuar punën dhe si rezultat kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Detonatori”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

A. G., 38 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas është kapur në flagrancë duke qarkulluar me automjet, nga kontrollit i të cilit u gjet një sasi dozash me lëndë narkotike kokainë, të cilat ky shtetas ia shiste përdoruesve të ndryshëm, në zonën e Yzberishtit, Pallateve Çabej dhe Astirit, kundrejt vlerës 3500 deri në 7000 lekë të rinj për dozë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri, municion luftarak, ndezës detonatorë për granata, 2 karta identifikimi policie të dyshuara të falsifikuara, 2 peshore elektronike, 1 automjet, 1 motomjet dhe një sasi lënde narkotike kokainë, të cilën ky shtetas e përgatiste në doza të vogla, gati për shitje në zonat e lartpërmendura.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 6.08.2021 09:48