Drita është eliminuar nga play-offi i Ligës së Konferencës pas humbjes me penallti ndaj Inter D’Escaldes, që siguroi kalimin në fazën e ligës.
Të lidhura
None found
Përveç përfundimit të rrugëtimit sportiv, eliminimi në Andorrë i ka shkaktuar kampionit të Kosovës edhe një humbje të konsiderueshme financiare. Klubi gjilanas nuk do të përfitojë rreth 3.1 milionë euro që do t’i siguronte nëse do të vazhdonte garat evropiane.
Drita e nisi pjesëmarrjen në Evropë në Ligën e Kampionëve, në cilësinë e kampiones së Kosovës, ndërsa gjatë këtij rrugëtimi kaloi gjithsej katër raunde kualifikuese.
Raundi i parë e vuri përballë me Žalgiris, skuadër nga e cila u eliminua me rezultat të përgjithshëm 4-3. Pas kësaj, gjilanasit vijuan garat në Ligën e Konferencës, ku kundërshtari i radhës ishte Floriana, transmeton Telegrafi.
Përballja me skuadrën malteze përfundoi në favor të Dritës, e cila siguroi kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 3-2 pas vazhdimeve.
Në raundin vijues, kampionët kosovarë dominuan ndaj Tre Fiori dhe e mbyllën përballjen me rezultat të përgjithshëm 9-1, duke kaluar në play-off.
Përballë Inter D’Escaldes, Drita barazoi 2-2 në Prishtinë, ndërsa ndeshja e kthimit në Andorrë përfundoi 0-0 pas 90 minutave. As koha shtesë nuk solli ndryshim të rezultatit.
Kualifikuesi u përcaktua nga gjuajtjet e penalltive, ku Inter D’Escaldes u tregua më i saktë dhe i dha fund pjesëmarrjes së Dritës në Evropë.
1.71 milionë euro të arkëtuara
Bazuar në përllogaritjet e shpërblimeve të UEFA-s, Drita do ta përfundojë këtë edicion evropian me rreth 1.71 milionë euro të ardhura.
Kjo shumë përbëhet nga 700 mijë euro për pjesëmarrjen në katër raunde kualifikuese, 750 mijë euro për eliminimin në play-off dhe 260 mijë euro nga bonuset e tjera, shkruan Telegrafi.
Kalimi i Inter D’Escaldes do ta kishte ndryshuar ndjeshëm situatën financiare të klubit, pasi një vend në fazën e ligës së Ligës së Konferencës do t’i sillte të ardhura dukshëm më të larta.
Vetëm kualifikimi në këtë fazë do t’i garantonte Dritës 3.1 milionë euro shtesë. Për më tepër, klubi do të kishte mundësi të rriste përfitimet në varësi të rezultateve të regjistruara.
Një fitore në fazën e ligës shpërblehet me rreth 400 mijë euro, ndërsa një barazim sjell rreth 133 mijë euro, pa përfshirë shumën bazë të pjesëmarrjes.
Për rrjedhojë, moskalimi i këtij raundi i ka kushtuar Dritës rreth 3.1 milionë euro të ardhura të mundshme, të cilat do t’i shtoheshin 1.71 milionë eurove të siguruara deri tani.
Eliminimi nga Inter D’Escaldes përbën kështu një goditje të dyfishtë për Dritën: në aspektin sportiv, pasi humbi shansin për të luajtur për herë të parë në fazën e ligës, dhe në atë financiar, për shkak të miliona eurove të munguara nga UEFA.
