Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, zhvilloi sot një vizitë inspektuese në kantierin e Sallës Universale në Shkup, ku mori informacion mbi fazën aktuale të punimeve.
Të lidhura
None found
Ministria bëri të ditur se projekti po zbatohet në përputhje me planin dinamik. Deri tani janë kryer gërmimet në nivelin e bodrumit, janë ndërtuar shtyllat dhe janë zhvilluar ndërhyrjet për mbrojtjen e konstruksionit. Paralelisht, vijon puna për përpunimin dhe montimin e pjesëve prej çeliku.
Gjatë inspektimit, Sulejmani u shpreh se kantieri u vizitua në prani të drejtuesit të punimeve, “Megaron Engineering” Shkup, organit mbikëqyrës “EOS E.E Consulting” – SHPK Shkup dhe kontraktorit “Universal Balkan” SHPK Shkup. Sipas tij, punimet përgatitore, ndërtimore-zejtare dhe prishjet e parashikuara janë përmbyllur me sukses, ndërsa kanë përfunduar edhe gërmimet e bodrumit, ndërtimi i shtyllave dhe masat për mbrojtjen e konstruksionit.
“Punimet po ecin sipas dinamikës së përcaktuar dhe shenjat e dukshme të përparimit pritet të vërehen që këtë fundjavë. Nëse ky ritëm vazhdon, Shkupi në vitin 2028 do të ketë më në fund Sallën moderne Universale, një objekt me rëndësi të madhe për kryeqytetin”, shkroi Sulejmani.
Salla Universale do të ruajë pamjen e saj të vjetër dhe do të ketë një kapacitet prej 1200 vendesh. Objekti duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2027.
