Kilauea, i njohur si një prej vullkaneve më aktivë në botë, ka shpërthyer përsëri në ishullin Hawaii.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), shpërthimi i 54-t i Kilaueas nisi më 25 gusht, rreth orës 10:30 të mëngjesit me kohën lokale. Aktiviteti u përqendrua në kraterin Halemaʻumaʻu, që ndodhet brenda Parkut Kombëtar të Vullkaneve të Hawaii-t.
Të lidhura
None found
Në fazën e parë, nga gryka veriore dolën shatërvanë lave me lartësi rreth 15-20 metra. Shpërthimi u fuqizua brenda një kohe të shkurtër, duke bërë që burimet e lavës të ngriheshin deri në disa qindra metra.
Sinjalet e para të riaktivizimit ishin konstatuar një ditë më parë, kur shkencëtarët vunë re spërkatje të lehta të shkëmbit të shkrirë dhe më pas rrjedhje nga gryka veriore. Në mëngjes, ky aktivitet ishte zhvilluar në një shatërvan të vazhdueshëm lave.
Erërat verilindore mund t’i zhvendosin gazrat dhe hirin vullkanik në drejtim të jugperëndimit, ndërsa autoritetet parashikojnë rënie të moderuar të hirit. Fragmentet me përmasa më të mëdha pritet të qëndrojnë në afërsi të kanaleve, kurse hiri i imët dhe e ashtuquajtura “qime e Pele”, një trajtë e hollë e qelqit vullkanik, mund të bartën nga era drejt Pahalës dhe vendbanimeve të tjera të Qarkut Kau.
