Zjarri në Qukës të Elbasanit, i cili u shfaq për herë të parë më 2 gusht, u riaktivizua në zonën veriperëndimore të masivit, duke detyruar forcat zjarrfikëse të riktheheshin në terren.
Operacioni i zhvilluar gjatë së mërkurës vazhdoi rreth 11 orë. Ndërhyrja u vështirësua nga terreni i thyer, temperaturat e larta dhe era, faktorë që favorizuan rindezjen e vatrave të fshehura edhe pas izolimit të tyre.
Të lidhura
None found
Për të penguar avancimin e flakëve, ekipet hapën qindra metra transhe ndarëse. Vatrat aktive u luftuan me pompa shpine dhe pajisje të lehta, pasi kushtet e terrenit kufizonin lëvizjen e mjeteve zjarrfikëse.
Në operacion morën pjesë edhe punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura, ndërsa kompani private ofruan mbështetje me mjete dhe transport.
Aktualisht, zjarri në malin e Qukësit është vënë nën kontroll. Shërbimi zjarrfikës po vazhdon mbikëqyrjen e zonës për të shmangur riaktivizime të tjera.
Vatra në malin e Qukësit mbetet prej më shumë se tre javësh një sfidë për shërbimin zjarrfikës të Prrenjasit.
