Dinamo do të përballet nesër me Pafos në ndeshjen e kthimit të fazës play-off të Conference League. Takimi, i cili nis në orën 19:00, vjen pas barazimit 1-1 të regjistruar në “Elbasan Arena”. Përpara kësaj sfide, trajneri Ilir Daja foli për mediat.
Të lidhura
None found
Daja e cilësoi të ekuilibruar përballjen e parë, duke theksuar se edhe rezultati e dëshmoi këtë. Sipas tij, Dinamo nuk shfaqi nivelin e saj më të mirë gjatë pjesës së parë, por arriti të krijonte mundësi në minutat e fundit të këtij fraksioni dhe në fillim të pjesës së dytë.
Tekniku nënvizoi se kundër një ekipi të fortë si Pafos kërkohet saktësi përpara portës. Ai deklaroi se Dinamo është e vetëdijshme për llojin e lojës që e pret nesër, ndërsa e konsideroi Pafosin edhe më të fuqishëm kur luan në fushën e vet.
Trajneri shtoi se skuadra ka punuar mirë gjatë ditëve që ka pasur në dispozicion, pavarësisht se në fundjavë nisi edhe kampionati. Vëmendja kryesore në seancat stërvitore, sipas Dajës, i është kushtuar finalizimit, pasi në nivele të tilla krijohen pak raste dhe mundësitë që paraqiten duhet të shndërrohen në gol.
