Besar Sejdi, kryetar i studentëve në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, ka reaguar kundër zgjidhjes së propozuar nga Ministria e Drejtësisë, e drejtuar nga Jeton Shasivari, për mënyrën e zhvillimit të provimit të jurisprudencës. Sipas këtij propozimi, pjesa teorike do të mund të zhvillohej në gjuhën shqipe, ndërsa ajo praktike do të duhej të jepej në gjuhën maqedonase.
Të lidhura
None found
Studentët shqiptarë, sipas Sejdit, e kanë kundërshtuar këtë qëndrim dhe do të vijojnë të kërkojnë që i gjithë provimi, përfshirë teorinë dhe praktikën, të zhvillohet në shqip.
“Pas gjithë atyre kërkesave, përgjigjja e Ministrisë së Drejtësisë është: teoria në shqip, ndërsa praktika në maqedonisht. Këtë zgjidhje ne si studentë e kemi kundërshtuar dhe do të vazhdojmë ta kundërshtojmë. Sepse nuk po kërkojmë diçka që nuk ekziston në ligj”, ka shkruar Sejdi në reagimin e tij.
Ai i është referuar nenit 9 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke theksuar se dispozita parashikon përdorimin e gjuhës që flitet nga të paktën 20% e qytetarëve, si dhe shkrimin e saj, në procedurat gjyqësore dhe në procedurat e tjera para gjykatave, prokurorive dhe institucioneve.
Sipas tij, paragrafi 2 i këtij neni përcakton se të gjitha procedurat duhet të zhvillohen edhe në atë gjuhë kur pjesëmarrësi në procedurë e flet atë, ndërsa paragrafi 4 i ngarkon institucionet me sigurimin e përkthimit të dokumenteve dhe materialeve të nevojshme.
“Prandaj pyetja jonë është shumë e thjeshtë: Ku në ligj shkruan se teoria mund të jepet në shqip, ndërsa praktika duhet patjetër të jepet në maqedonisht? Nëse ligji thotë ‘të gjitha procedurat’, atëherë nuk mund të interpretohet ligji vetëm në pjesën që i përshtatet një zgjidhjeje të caktuar”, vijon reagimi.
Sejdi i ka kërkuar ministrit Shasivari që, pas muajsh pritjeje, ta argumentojë propozimin me bazë ligjore dhe të tregojë nenin që e ndalon zhvillimin e pjesës praktike në shqip. “Deri atëherë, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: Provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe, teori dhe praktikë. Asnjë hap prapa”, ka përfunduar ai.
Reagimi i kryetarit të studentëve vjen pasi ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, deklaroi sot se, para se çështja e provimit të jurisprudencës të marrë formën zyrtare, do të zhvillojë një takim me studentët dhe dekanët e fakulteteve juridike për t’ua prezantuar zgjidhjen ligjore.
Shasivari bëri gjithashtu të ditur se në Ministri kanë mbërritur kërkesa që provimi, krahas gjuhës shqipe, të mund të zhvillohet edhe në gjuhën angleze dhe turke.
