Një 51-vjeçar është vënë në pranga nga Policia pasi është kapur duke transportuar gjashtë persona nga vendet e treta në drejtim të kufirit të Malit të Zi.
I arrestuari është E.A., nga Shkodra ndërsa mësohet se destinacioni final ishin vendet e BE-së.
Gjithashtu uniformat blu bëjnë me dije se është ndaluar edhe 49-vjeçari K.,P i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Njoftimi i plotë
U kap duke transportuar disa shtetas nga vendet e treta, arrestohet në flagrancë 51-vjeçari, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalimit të paligjshëm të kufirit”.
Ndalohet dhe një shtetas i shpallur në kërkim për të njëjtën vepër penale.
Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, pas një pune të mirorganizuar, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. A., 51 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas është kapur nga Policia, në aksin rrugor Shkodër – Hani i Hotit, në vendin e quajtur “Rotondo e Koplikut”, duke transportuar në drejtim të kufirit me Malin e Zi, me mjetin tip “Volksëagen”, 6 shtetas nga vendet e treta, që kishin si destinacion final vendet e BE-së.
Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, është kapur dhe ndaluar shtetasi i shpallur në kërkim K. P. 49 vjeç, banues në Laç.
Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, me vendimin e datës 25.05.2017, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.