Raheem Sterling mund të përballet me një dënim deri në dy vjet burg, nëse shpallet fajtor për drejtim të rrezikshëm të automjetit.
Akuzat ndaj futbollistit 31-vjeçar u ngritën pasi Lamborghini i tij, me vlerë 315,000 euro, u përfshi në një aksident në autostradë. Krahas drejtimit të rrezikshëm, ai akuzohet për posedim të oksidit të azotit me qëllim thithjen, si dhe për refuzim të dhënies së një mostre për testim.
Të lidhura
None found
Policia e Hampshire dhe Isle of Wight, përmes një zëdhënësi, konfirmoi procedimin ndaj tij.
Në deklaratën e policisë bëhet e ditur se shoferi do të dalë para gjykatës muajin e ardhshëm lidhur me akuzat që pasuan një përplasje në autostradën M3. Sipas njoftimit, Raheem Sterling nga Berkshire akuzohet për drejtim të rrezikshëm, posedim të oksidit të azotit me synim përdorimin e paligjshëm përmes thithjes dhe refuzim për të dorëzuar një mostër.
Oksidi i azotit, që njihet edhe si gaz qeshës, klasifikohet si drogë e Grupit C që prej nëntorit të vitit 2023, çka e bën veçanërisht serioze akuzën për posedimin e kësaj substance. Përdorimi i saj vazhdon të jetë shqetësim në futbollin profesionist, pasi janë konfirmuar rreziqe si ataku në zemër, goditja në tru dhe dëmtimet në tru.
Ngjarja ndodhi pranë kryqëzimit të Minley, ku, sipas dëshmitarëve, automjeti goditi kangjellat mbrojtëse të autostradës. Nga aksidenti nuk pati persona të lënduar.
Sterling u la i lirë me kusht ndërsa vazhdonin hetimet, ndërsa tani duhet të paraqitet në gjykatë për t’iu përgjigjur akuzave. Për mënyrën e drejtimit të përshkruar nga dëshmitarët okularë, ndaj tij është ngritur një akuzë për krim të rëndë.
Që nga incidenti, ish-futbollisti i kombëtares angleze është parë rrallë në publik. Ai ka bërë vetëm postime të herëpashershme në rrjetet sociale dhe ka kaluar kohë me familjen.
Çështjet ligjore e gjejnë katër herë kampionin e Ligës Premier në një periudhë të vështirë të karrierës. Pas viteve të mbushura me trofe te Manchester City, kalimi i tij te Chelsea në vitin 2022 për 56 milionë euro nuk rezultoi i suksesshëm.
Sipas burimeve pranë Sterlingut, gjatë qëndrimit në Stamford Bridge ai përjetoi probleme me shëndetin mendor. Nën drejtimin e trajnerit Enzo Maresca, lojtari u detyrua gjithashtu të stërvitej i ndarë nga skuadra e parë.
Huazimi te Arsenali nuk e ndihmoi të rikthehej në nivelin e mëparshëm të paraqitjeve. Më pas ai pati edhe një periudhë të shkurtër te skuadra holandeze Feyenoord.
Pasi kontrata i përfundoi në mbyllje të sezonit të kaluar, Sterling aktualisht është lojtar i lirë dhe nuk ka klub.
Seanca gjyqësore është caktuar për në shtator. Sterling, i fejuar me Paige Milian dhe baba i tre fëmijëve, do të përballet me këto akuza ndërkohë që e ardhmja e tij profesionale mbetet e pasigurt.
