Ukraina dhe Polonia i kanë bërë “bllok”, a do të lejohet Bregoviç të mbajë koncert në Korçë?!

Këngëtari serb, Goran Bregoviç, do të mbajë koncert në Korçë në “Festën e Birrës” që do të zhvillohet përgjatë datave 18-22 gusht.

Lajmi është konfirmuar nga vetë organizatorë, të cilët përmes një njoftimi thonë: “Veç artistëve shqiptarë, DJ dhe grupeve më të njohura muzikore në Shqipëri, atmosfera do të kulmojë në natën finale me performancën e këngëtarit Goran Bregoviç”.

Bregoviç nuk është një këngëtar i dashur për publikun, pasi ka shprehur hapur përkrahjen e tij për pushtimin e Krimesë së Ukrainës nga Rusia.

Ukraina dhe Polonia ia kanë ndaluar koncertet, por pavarësisht shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut nga regjimi pushtues rus në Krime dhe sanksioneve ndërkombëtare, Bregoviç ka mbajtur një koncert në Sevastopol të Krimesë.

Ndërsa këto vende nuk e lejuan, këngëtari serb do të mbajë koncert në vendin tonë, saktësisht në “Festën e Birrës” në Korçë dhe për më tepër pritet që të këndojë në kulmin e atmosferës.

Lajmi që Bregoviç do të këndojë në Korçë ka sjellë reagime në rrjet, ku shumë njerëz kërkojnë bojkotimin e “Festës së Birrës”

Në Kosovë, reagimi ka qenë më i madh, për shkak të qëndrimeve anti-shqiptare të Bregoviç dhe këngëve të tij, që janë cilësuar si inspirim i ushtarëve serbë gjatë luftës në Kosovë./albeu.com


Shtuar 5.08.2021 11:30