Pas mbarimit të shkollës, një numër gjithnjë e më i madh të rinjsh në Gjermani nuk po arrijnë të hyjnë në tregun e punës, ndërsa nuk ndjekin as arsim apo trajnim profesional.
Të lidhura
None found
Të dhënat e Zyrës Federale të Statistikave tregojnë se gjatë vitit 2025 në këtë pozitë ishin rreth 10 për qind e personave nga 20 deri në 24 vjeç. Në vitin 2022, përqindja e kësaj grupmoshe ishte 8,8 për qind. Sipas ekspertëve, bëhet fjalë për një prirje shqetësuese, sepse u vështirëson të rinjve sigurinë e së ardhmes së tyre profesionale dhe mund t’i shkaktojë ekonomisë gjermane mungesë të punëtorëve të kualifikuar.
Raporti Kombëtar për Arsimin vlerëson se afërsisht një e katërta e të rinjve të kësaj kategorie po kërkojnë punë. Pjesa dërrmuese e tyre, megjithatë, nuk janë në dispozicion të tregut të punës. Përgjegjësitë për kujdesin e familjarëve dhe shqetësimet shëndetësore renditen mes shkaqeve kryesore.
Drejtoresha shkencore e Institutit për Kërkime Ekonomike dhe Sociale, Bettina Kohlrausch, kërkon shtimin e mundësive cilësore për formim profesional, si edhe mbështetje më të gjerë për të rinjtë. Sipas saj, kjo do t’i ndihmonte ata të përfundojnë me sukses trajnimin dhe të kalojnë më lehtë drejt tregut të punës.
Në raport me shtetet e tjera të Bashkimit Evropian, Gjermania vazhdon të ketë një situatë më të favorshme. Mesatarja e BE-së për moshat 20 deri në 24 vjeç arrin në 12,9 për qind. Holanda, Suedia dhe Çekia shënojnë normat më të ulëta, ndërsa Rumani, Bullgari dhe Francë kanë shifrat më të larta.
Në Gjermani, vajzat dhe gratë e reja preken disi më tepër se meshkujt e së njëjtës moshë. Gjithashtu, të rinjtë që jetojnë në qytete të mëdha kanë më shumë mundësi të mbeten jashtë punësimit, arsimit dhe formimit profesional krahasuar me ata në zonat rurale.
