Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi të mbajtur dje në Pogradec, deklaroi se është diskutuar edhe krijimi i pasqyrës unike “Pasqyrë Albania”. Sipas tij, kjo hapësirë do të përfshijë të gjitha institucionet dhe do t’u mundësojë qytetarëve të ndjekin në kohë reale ecurinë e çdo kërkese, shqetësimi apo problemi të dërguar prej tyre.
Rama theksoi se synimi është që çdo komunikim i qytetarit me institucionet të funksionojë si një dërgesë postare, statusi i së cilës mund të kontrollohet nga dërguesi.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, shteti, qeveria dhe institucionet do të mbajnë përgjegjësi për trajtimin e tyre, ndërsa çdo tejkalim afati do të verifikohet me kujdes.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, ka siguruar detajet e para për mënyrën se si do të organizohet “Pasqyrë Albania”. Platforma do të përbëjë një version të modernizuar të “Bashkëqeverisjes” dhe do të ketë dy seksione.
Seksioni i parë do të mbajë emrin “Flamingo Mirror” dhe do të shërbejë për marrjen e sinjalizimeve sensitive, si edhe të shqetësimeve të përditshme të qytetarëve.
Ndërsa pjesa e dytë, e quajtur “Radar”, do të grumbullojë të gjitha ankesat. Ato do të gjurmohen brenda 48 orëve dhe, më pas, duhet të marrin zgjidhje në një periudhë deri në dy javë.
Burime nga PS pohuan se nëpërmjet “Mirror Albania” synohet forcimi i besimit të qytetarëve te institucionet shtetërore, duke pasur si objektiv kryesor zgjidhjen e problemeve.
Efektiviteti i kësaj nisme të re të Edi Ramës pritet të vihet në provë në zgjedhjet lokale të vitit 2027.
