Një zjarr i përmasave të mëdha, që ka përfshirë një zonë pranë Renos në Nevada të SHBA-së, ka arritur deri në periferi të qytetit, duke detyruar autoritetet t’u kërkojnë dhjetëra mijëra banorëve të evakuohen.
Të lidhura
None found
Urdhër për largim të menjëhershëm nga banesat kanë marrë rreth 42,000 persona, ndërsa 45,000 të tjerë janë paralajmëruar të jenë gati për t’u zhvendosur. Flakët u raportuan për herë të parë të shtunën në mëngjes dhe deri tani kanë lënë gjashtë të plagosur, mes të cilëve tre zjarrfikës.
Përhapja e zjarrit është favorizuar nga erërat e fuqishme dhe moti i paqëndrueshëm. Autoritetet lokale bëjnë të ditur se shkaku i zjarrit lidhet me veprimtarinë njerëzore.
Guvernatori i Nevadës, Joe Lombardo, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Washoe dhe ka urdhëruar angazhimin e Gardës Kombëtare në operacionet për shuarjen e flakëve dhe zbatimin e ligjit. “Ky është një situatë aktive dhe që po zhvillohet me shpejtësi, ndaj i bëj thirrje të gjithëve në zonat e prekura të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale”, deklaroi ai.
Sipas shërbimeve vendore të emergjencave, brenda perimetrit të evakuimit ndodhen afërsisht 13,700 banesa. Për personat e detyruar të largohen janë hapur dy qendra strehimi.
Reno ndodhet në perëndim të Nevadës, pranë vijës kufitare me Kaliforninë, dhe ka rreth 280,000 banorë.
