Gjilani ka marrë një tjetër fitore në Superligën e Kosovës, duke mundur Llapin me rezultatin 0-2 në transfertë, në ndeshjen e vlefshme për javën e dytë të kampionatit.
Të lidhura
None found
Ekipi “kuqebardh” e kontrolloi më mirë startin e takimit dhe e mbylli pjesën e parë me dy gola të shënuar nga sulmuesi i krahut, Oltion Bilali, i cili ishte protagonisti kryesor i suksesit gjilanas.
Goli i parë erdhi në minutën e 19-të, kur Bilali dërgoi topin në rrjetë me kokë pas asistimit të Arbër Potokut.
Gjilani nuk u tërhoq pas avantazhit dhe vijoi të kërkonte golin e dytë. Në minutën e 41-të, Bilali shënoi sërish, duke realizuar dopietën personale dhe duke i dhënë skuadrës së tij epërsinë 0-2 në përfundim të 45 minutave të para.
Pas pushimit, Llapi krijoi disa raste për ta ndryshuar rrjedhën e ndeshjes. Vendasit goditën edhe shtyllën, ndërsa portieri Coric reagoi me pritje të rëndësishme në disa momente, duke siguruar që porta e Gjilanit të mbetej e paprekur.
Pas dy javësh kampionat, Gjilani numëron dy fitore, të dyja të arritura si mysafir. Llapi, ndërkohë, vijon të jetë pa pikë pas dy xhirove.
