Me përfundimin e gushtit, brenda Partisë Socialiste po shtohet dinamika politike, ndërsa kryeministri Edi Rama, ka planifikuar një seri takimesh për nisjen e sesionit të ri politik.
Takimi i parë do të zhvillohet sot, rreth orës 11:30, në Pogradec, ndërsa një tjetër mbledhje është parashikuar për ditën e nesërme në të njëjtin qytet.
Të lidhura
None found
Në vilën qeveritare të Pogradecit, pritet të mblidhen 12 drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare.
Sipas burimeve nga PS, diskutimet do të përqendrohen te dokumenti “Besa” dhe te materiali tjetër i quajtur “Prania e Besës”, i cili iu dorëzua grupit parlamentar socialist në fund të korrikut.
Rama pritet të marrë vërejtje dhe sugjerime mbi këto dy dokumente, me synim përpunimin e tyre dhe hartimin e një versioni përfundimtar. Në axhendë do të jenë gjithashtu përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Të dielën në mbrëmje, kryeministri do të zhvillojë një darkë me drejtuesit politikë, kryetarët e komisioneve parlamentare dhe ministrat. Takimi pritet të shërbejë për uljen e tensioneve të gushtit, përpara se të nisë të hënën “provimi i performancës”.
Po në Pogradec, në kuadër të një mbledhjeje informale të qeverisë, të njohur si “retreat”, ministrat do të paraqesin raportet për punën e dikastereve të tyre gjatë periudhës janar-gusht 2026.
Në ndryshim nga mbledhjet e mëparshme të këtij formati, këtë herë nuk do të jenë të pranishëm zëvendësministrat. Në takim do të marrin pjesë vetëm ministrat dhe drejtuesit e agjencive që varen prej tyre.
Ashtu si në “retreatet” e viteve të kaluara, ministrat do të raportojnë edhe për aktivitetin mediatik dhe prezencën e institucioneve të tyre në rrjetet sociale.
Angazhimet politike të Ramës nuk përfundojnë me takimet e kësaj fundjave. Burime nga PS bëjnë me dije se, me shumë gjasë, në javën e parë të shtatorit do të mblidhet Asambleja Kombëtare Socialiste.
Mbledhjet e mëparshme të asambleve socialiste janë përdorur nga Rama edhe për të njoftuar ndryshime në kabinetin qeverisës.

