Agjencia Qendrore e Inteligjencës amerikane (CIA) po përballet me një numër të paprecedentë pensionimesh dhe dorëheqjesh, ndërsa shkurtimet e thella të urdhëruara nga administrata e presidentit Donald Trump kanë rënduar edhe funksionimin e sistemit të pensioneve.
Të lidhura
None found
Burime të brendshme të cituara nga The Washington Post bëjnë të ditur se ish-punonjësit e CIA-s po presin më gjatë për të marrë pensionet, në një kohë kur largimet nga agjencia kanë marrë përmasa të pazakonta.
Edhe pse të dhënat e plota janë të klasifikuara, zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë deklarojnë se ritmi i pensionimeve dhe dorëheqjeve nuk ka precedent në historinë e afërt të CIA-s.
Kjo situatë lidhet me një prirje më të gjerë në administratën federale amerikane, e cila është përfshirë nga largime të shumta pas politikave të administratës Trump për tkurrjen e administratës dhe uljen e shpenzimeve publike.
Për CIA-n, pasojat konsiderohen veçanërisht të ndjeshme, pasi një pjesë e punonjësve kryejnë detyra në mjedise të rrezikshme dhe veprimtaria e tyre zhvillohet kryesisht në fshehtësi, larg vëmendjes së publikut.
Një tjetër faktor që e vështirëson vlerësimin e situatës është kultura institucionale e agjencisë. Punonjësit janë mësuar të mos flasin publikisht për pakënaqësitë ose shqetësimet e tyre, ndaj përmasat e vërteta të largimeve dhe ndikimi i tyre mbeten të vështira për t’u përcaktuar.
Rritja e numrit të pensionimeve dhe dorëheqjeve ka ngritur shqetësime për aftësinë e CIA-s për të ruajtur përvojën dhe ekspertizën e krijuar ndër vite. Ndërkohë, vonesat në trajtimin e pensioneve po shtojnë pasigurinë për ish-punonjësit e agjencisë.
