Nuk punojnë për mua”/ Trump paralajmëron shkarkimin e konsulentëve, përfshirë atë që ndihmoi Berishën në zgjedhje

Donald Trump reagoi ndaj raportimeve se dy këshilltarë politikë të tij, Chris LaCivita dhe James Blair, kanë marrë përsipër angazhime këshillimore në Republikën Srpska, në Bosnje-Hercegovinë, para zgjedhjeve.

Të lidhura

None found

Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan sqaroi se të dy nuk janë pjesë e stafit të tij të përhershëm, por punojnë si konsulentë të jashtëm. Ai tha se mund të ndërpresë bashkëpunimin me ta nëse vërtetohet se ekziston konflikt interesi.

Trump theksoi se nuk ishte në dijeni të klientëve të tjerë për të cilët punojnë LaCivita dhe Blair dhe se do të kërkojë informacion rreth angazhimeve të tyre.

“Chris LaCivita dhe James Blair janë konsulentë të jashtëm. Ata nuk punojnë për mua, përveçse në cilësinë e konsulentëve të jashtëm”, shkroi ai, duke shtuar: “Do t’i pyes dhe, nëse ka konflikt interesi, do t’i pushoj menjëherë”.

Sipas presidentit, këshilltarët mund të bashkëpunojnë me klientë të tjerë, ashtu si konsulentët e tjerë politikë në Uashington.

Raportimet që nxitën reagimin e Trumpit thonë se LaCivita dhe Blair kanë udhëtuar në Republikën Srpska përpara zgjedhjeve dhe kanë ofruar këshillim për autoritetet atje. Burime të njohura me marrëveshjen kanë bërë të ditur se secili është paguar me qindra mijëra dollarë, përmes një firme ligjore me seli në Uashington, të angazhuar nga qeveria e Republikës Srpska.

LaCivita ka pasur më herët rol edhe në politikën shqiptare. Ai ka këshilluar Sali Berishën dhe kampin opozitar, si pjesë e një ekipi amerikan konsulentësh që kontribuoi në strategjinë politike të Berishës për zgjedhjet e vitit 2015.

Associated Press e ka renditur LaCivita-n mes figurave të rëndësishme të fushatave të Donald Trumpit që janë angazhuar për të ndihmuar Berishën në Shqipëri.


Shtuar më 7.10.2026 20:27