Zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani, ka komentuar diskutimet mbi listën preliminare të kandidatëve për pranimin e kadetëve në Akademinë ushtarake. Ai ka sqaruar se kjo listë përfaqëson vetëm një etapë të ndërmjetme të procesit dhe nuk duhet ngatërruar me listën përfundimtare të të pranuarve.
Të lidhura
None found
Shabani ka vlerësuar se çdo parashikim për rezultatin final të konkursit, përpara se procedurat të përfundojnë, është i nxituar. Sipas tij, rritja e pjesëmarrjes së të rinjve shqiptarë në sistemin e mbrojtjes mbetet një objektiv i rëndësishëm, ndërsa që pas hapjes së konkursit janë zhvilluar aktivitete për informimin dhe nxitjen e aplikimeve nga të rinjtë.
“Brenda afatit të paraparë vetëm dy kandidatë shqiptarë u paraqitën dhe dorëzuan dokumentacionin përkatës”, ka deklaruar zv/ministri Shabani.
Ai ka theksuar se çështja nuk mund të analizohet vetëm duke numëruar kandidatët shqiptarë në listën paraprake. Sipas tij, duhet shqyrtuar edhe arsyeja përse interesi i të rinjve për të ndjekur profesionin ushtarak vazhdon të jetë i kufizuar.
Institucionet, sipas Shabanit, duhet të ndërmarrin hapa për ta bërë këtë profesion më joshës, duke ofruar mundësi për arsimim, avancim profesional, kushte moderne pune dhe një rrugë të qartë karriere.
Ai ka bërë të ditur se promovimi i Akademisë ushtarake dhe informimi për mundësitë e karrierës në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatë do të vijojnë edhe gjatë periudhës së ardhshme.
“Synimi ynë është që në gjeneratat e ardhshme të kemi një numër dukshëm më të madh të kandidatëve shqiptarë të interesuar dhe cilësorë, të cilët, mbi bazën e kritereve të përcaktuara dhe rezultateve të tyre, do të bëhen pjesë e sistemit”, ka thënë ai.
Në përmbyllje, zëvendësministri ka kërkuar që diskutimi për përfaqësimin të mos mbetet vetëm në nivelin e akuzave politike. Ai ka nënvizuar nevojën për angazhim të drejtpërdrejtë në motivimin e të rinjve për të aplikuar dhe për të ndërtuar karrierë në institucionet e mbrojtjes.
“Nuk do të premtojmë vetëm shifra në letër. Do të krijojmë mundësi, do të motivojmë të rinjtë dhe do të punojmë për rezultate konkrete që do të shihen në gjeneratat që vijnë”, përfundon reagimi.
