Prokuroria Themelore e Prishtinës ka urdhëruar ndalimin për 48 orë të personit me inicialet A.K., në kuadër të hetimeve për vdekjen e punëtorit të KEK-ut, Arbenit Ahmeti, 32-vjeçar.
Të lidhura
None found
A.K. dyshohet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, e paraparë në nenin 358 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur gjatë transportimit dhe zhvendosjes së kabllove 6kV. Dyshohet se viktima ka rënë në kontakt me tensionin elektrik, duke pësuar plagë të rënda.
Prokurori kujdestar i Departamentit të Përgjithshëm është vënë në dijeni për aksidentin e ndodhur në Koorporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ku një punëtor humbi jetën në vendin e punës.
Pas raportimit të rastit, në vendngjarje kanë shkuar njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, Komisioni i Pavarur për miniera dhe minerale (KPMM), Inspektorati i Punës dhe Inspektorati i Brendshëm i Koorporatës Energjetike (KEK).
Nën udhëzimet e prokurorit kujdestar, institucionet përgjegjëse kanë kryer veprimet e nevojshme hetimore me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në humbjen e jetës së punëtorit.
Prokurori i çështjes do t’i vlerësojë brenda afatit ligjor rrethanat dhe provat e mbledhura deri tani. Në vijim, ai do të ndërmarrë masat e nevojshme, përfshirë edhe paraqitjen e kërkesës për caktimin e njërës prej masave të sigurisë ndaj të pandehurit në procedurën penale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
