Një dokumentar i ri ka nxjerrë në pah diskutimet dhe rezervat e drejtuesve të Manchester Cityt lidhur me mentalitetin e Rayan Cherkit, para se klubi të vendoste për transferimin e tij nga Lyoni.
Francezi iu bashkua skuadrës angleze në qershorin e vitit të kaluar, për një shumë rreth 39.7 milionë eurosh, ndërsa firmosi një kontratë pesëvjeçare. Edhe pse aftësitë e tij teknike ishin të padiskutueshme, në klub kishte dilema nëse Cherki përshtatej me projektin e Cityt.
Të lidhura
None found
Në serinë dokumentare me katër pjesë të Amazon Prime Video, “A Beautiful Obsession”, drejtori i futbollit Hugo Viana shfaqet duke analizuar situatën e lojtarit me pjesëtarë të tjerë të klubit.
Gjatë vlerësimit të profilit të tij, një anëtar i ekipit të rekrutimit bëri të ditur se të dhënat e mbledhura e afronin Cherkin me profilin e Kevin De Bruynes.
“Ai mund të jetë profili i Kevinit pas dy vitesh. Por mentaliteti është…”, deklaroi Viana, duke pranuar se informacionet e siguruara për futbollistin francez nuk ishin veçanërisht inkurajuese.
“Informacionet për Cherkin nuk ishin aq pozitive. Po flas shumë sinqerisht”, shtoi ai.
Edhe drejtori ekzekutiv Ferran Soriano tha se askush nuk vinte në dyshim talentin e Cherkit, por sjellja e tij përbënte një shqetësim për drejtuesit.
“Të gjithë e dinin për aftësitë e tij, por ekzistonte ideja se ai ishte kaotik”, u shpreh Soriano.
Me kalimin e kohës, drejtuesit e Cityt nisën të dyshonin se disa prej vlerësimeve negative mund të ishin të tejzmadhuara. Për këtë arsye, ata morën kontakt me trajnerë që kishin punuar me Cherkin, ndërsa një prej raporteve të pafavorshme ishte përpiluar kur lojtari ishte ende shumë i ri.
Khaldoon Al-Mubarak, kryetari i klubit, kërkoi që çështja të sqarohej pa vonesa, duke paralajmëruar se Manchester City rrezikonte ta humbiste këtë mundësi.
“Duhet të mendojmë si ta zgjidhim këtë, sepse është e qartë se ai po nënvlerësohet”, tha Al-Mubarak.
Në përfundim, City zhvilloi bisedime me agjentin e Cherkit. Megjithëse për lojtarin kishte interesim edhe nga klube të tjera, dëshira e tij ishte e qartë: të zhvillonte një bisedë me Pep Guardiolën.
