Opinionistja Nexhmije Gjema ka sjellë një tekst satirik ku përfytyron një vizitë të përfaqësuesve të PDK-së dhe AAK-së te kryeministri Albin Kurti, me qëllim që ta urojnë për hapjen e Urës së Ibrit pas 27 vjetësh.
Të lidhura
None found
Përmes ironisë, Gjema paraqet partitë opozitare duke u zotuar se do të ndihmojnë në konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve, si dhe se do t’i japin përparësi interesit shtetëror ndaj atij partiak.
Në mbyllje të skenarit imagjinar përmendet një ftesë për koktej, ndërsa qytetarëve u sugjerohet ta lexojnë lajmin ulur, sepse kthesa të tilla në politikë mund t’u shkaktojnë “marramendje”.
Teksti i plotë:
LAJME TË MIRA
Pas 27 vjetësh, PDK-ja dhe AAK-ja shkojnë te Kurti për ta përgëzuar lidhur me hapjen e Urës së Ibrit.
Përfaqësues të PDK-së dhe AAK-së janë takuar sot në Kuvendin e Kosovës, prej nga kanë shkuar për ta uruar kryeministrin Albin Kurti për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve, pas 27 vjetësh.
Të prekur emocionalisht nga ngjarjet e fundit, ata kanë zgjedhur që mirënjohjen t’ia shprehin personalisht Kryeministrit për përfundimin e një pune që, për shkaqe që vazhdojnë të mbeten të panjohura, nuk kishin mundur ta kryenin në periudhën kur drejtonin vetë institucionet shtetërore.
Sipas burimeve satirike, delegacioni nuk është kufizuar vetëm te urimi. Përfaqësuesit janë zotuar se, duke nisur nga sot, do të mbështesin konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, ndërsa, kur të vijë momenti, edhe zgjedhjen e Presidentit të vendit. Kjo, sipas tyre, do t’u mundësonte institucioneve të Kosovës të punonin normalisht dhe do të shmangte mbajtjen e mëtejshme të vendit peng nga bllokadat politike.
Po ashtu, ata kanë premtuar angazhim për vijimin e rregullt të punëve dhe për zbatimin e projekteve që prej një kohe kanë mbetur pezull. Në këtë kuadër, janë zotuar se interesat e shtetit dhe të qytetarëve do t’i vendosin përpara interesave partiake.
Në përfundim, delegacioni ka deklaruar se tash e tutje do ta kundërshtojë Qeverinë kur vlerëson se ajo ka gabuar ose nuk ka bërë punë të mjaftueshme, por nuk do t’i kundërvihet Kosovës në rastet kur vendi shënon përparim. 🇽🇰
Sipas raportimit, Kryeministri u shfaq disi i habitur nga mungesa e përfaqësuesve të LDK-së në këtë vizitë. Megjithatë, duke treguar mirëkuptim për faktin se ata tashmë i kanë përvjelë mëngët dhe janë përfshirë plotësisht në përgatitjen e projekteve madhore që e presin Kosovën, nuk e pa praninë e tyre si shumë të domosdoshme.
Burimet tona satirike thonë se Kryeministri i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për vizitën. Si shenjë mirënjohjeje dhe bashkëpunimi, ai i ftoi që gjatë ditëve të ardhshme ta kremtojnë së bashku këtë nisje dhe frymë të re bashkëpunimi përmes një kokteji rasti.
Qytetarëve ndërkaq u rekomandoi që këtë lajm ta lexojnë të ulur, pasi ndryshime politike të këtyre përmasave mund të sjellin edhe marramendje, veçanërisht kur merret parasysh vapa që po mbizotëron këto ditë.
Tanjug, 17 gusht 2026 😜
SATIRË |
