Kryeministri Edi Rama ka reaguar nëpërmjet një postimi në “Facebook” pas kritikave për klasifikimin e Shqipërisë në vendin e parë të indeksit global të sigurisë kibernetike.
Rama iu drejtua atyre që e kundërshtuan lajmin, duke i cilësuar si “urrejtës besnikë” dhe si një ushtri trollash që, sipas tij, u sulën menjëherë me akuza e komente të shumta.
Të lidhura
None found
Ai shtroi pyetjen se, nëse renditja ishte vërtet “gënjeshtër”, “propagandë” apo “budallallëk”, përse kundërshtarët harxhuan kaq shumë energji për ta sulmuar. Sipas kryeministrit, askush normalisht nuk përpiqet të shuajë një qiri që tashmë është i fikur.
Rama theksoi se pozicionimin në National Cyber Security Index nuk e përcaktojnë as kundërshtarët, as trollat, por një metodologji ndërkombëtare. Ai tha se Shqipëria është vlerësuar me 98.33 pikë, bazuar në kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe mekanizmat e parandalimit.
“Tabela nuk ndryshon” nga sulmet dhe komentet negative, u shpreh Rama, duke shtuar se kritikët mund të reagojnë si të duan, por renditja mbetet e njëjtë.
Kryeministri ironizoi gjithashtu ata që, sipas tij, e kanë të vështirë të pranojnë se Shqipëria kryeson klasifikimin botëror pikërisht në një fushë që lidhet me mbrojtjen nga trollimet malinje. Ai deklaroi se për “dhimbjen e urrejtësve” nuk ekziston ilaç.
Rama tha se çdo koment i kundërshtarëve sjell më shumë klikime dhe e konsideroi këtë një arsye më shumë për të buzëqeshur në ditën që e cilësoi si një moment të bukur dhe një arritje fantastike.
Sipas tij, miqtë dhe aleatët që e njohin rëndësinë e këtij indeksi e uruan, ndërsa kritikët shqiptarë e sulmuan. Rama pretendoi se të dyja reagimet konfirmojnë se Shqipëria është ngjitur në krye, aty ku deri pak vite më parë renditej në fund.
Ai shtoi se ky progres i shqetëson vetëm ata që duan ta shohin Shqipërinë gjithmonë në fund dhe që, sipas tij, prej muajsh kanë ndjekur ëndrra për revolucione, dorëheqje e pushtet, duke prodhuar madje edhe diasporë nga Prishtina e Tetova.
