Grupi Parlamentar i Aleancës ka kërkuar thirrjen e menjëhershme të një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, me qëllim finalizimin e procesit të konstituimit brenda orëve të mbetura.
Të lidhura
None found
Në një deklaratë për shtyp, shefi i grupit, Besnik Tahiri, njoftoi se kjo nismë është ndërmarrë në bashkërendim me forcat e tjera politike dhe se takimi i propozuar do të niste në orën 22:30.
“Si grup parlamentar, në konsultim edhe me kolegët e tjerë, kemi paraqitur një kërkesë për seancë të jashtëzakonshme, e cila duhet të mblidhet sonte në orën 22:30,” u shpreh Tahiri.
Ai sqaroi se objektivi i deputetëve të zgjedhur dhe të betuar është që t’i drejtohen kryesuesit të seancës konstituive për të rifilluar punimet dhe për t’i quar ato deri në fund.
“Ne, me autoritetin tonë si përfaqësues të zgjedhur e të betuar në Kuvend, do të takohemi për t’i bërë thirrje kryesuesit të seancës konstituive që ta thërrasë mbledhjen dhe ta përmbyllim procesin sonte,” theksoi Tahiri.
Kjo kërkesë vjen teksa seanca konstituive është planifikuar zyrtarisht të vijojë të shtunën, duke filluar nga ora 11:00.
Ndonëse ajo mbledhje është në kalendar, afati ligjor për konstituimin e plotë të Kuvendit përfundon pikërisht mesnatën e sotme.
