Emërimi i Justina Shiroka-Pulës në krye të presidencës së Kosovës, me 81 vota, ka hapur diskutime të reja mbi vlefshmërinë juridike të procesit, pasi votimi nisi para mesnatës dhe përfundoi disa minuta pas skadimit të afatit.
Të lidhura
None found
Publicisti Gëzim Mekuli, në një prononcim për “Bota sot”, argumenton se kjo çështje nuk mund të vlerësohet vetëm duke parë nëse ora kishte kaluar 00:00.
Sipas tij, një shtet demokratik nuk mund ta anashkalojë Kushtetutën duke iu referuar thjesht “interesit kombëtar”. Megjithatë, teoria kushtetuese njeh koncepte si doktrina e domosdoshmërisë, regjimet kushtetuese të emergjencës, vazhdimësia e shtetit dhe interpretimi funksional i dispozitave kushtetuese.
Mekuli nënvizon se, në rastin e zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës, nuk ekziston një qëndrim unik juridik që e cilëson procesin si antikushtetues. Ai përmend qëndrimin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, sipas të cilit procedura nisi brenda afatit dhe fakti që numërimi përfundoi disa minuta pas mesnatës nuk përbën domosdoshmërisht shkelje kushtetuese.

Publicisti shpjegon se e drejta kushtetuese bën dallim mes zbatimit mekanik të një afati dhe nevojës për të garantuar funksionimin e institucioneve shtetërore.
Ai sjell në vëmendje se rreth 90 për qind e kushtetutave në botë përmbajnë dispozita që lidhen me situata emergjente. Këto mekanizma janë krijuar për rastet kur një krizë mund ta vendosë zbatimin strikt të procedurave përballë domosdoshmërisë së ruajtjes së funksionimit institucional.
Si shembull, Mekuli përmend Francën, ku neni 16 i Kushtetutës i njeh presidentit kompetenca të jashtëzakonshme nëse institucionet, pavarësia e vendit ose integriteti territorial kërcënohen seriozisht dhe funksionimi normal i pushteteve publike ndërpritet. Ai thekson se edhe këto kompetenca kanë kufizime dhe i nënshtrohen kontrollit institucional.
Për këtë arsye, sipas tij, diskutimi për Kosovën nuk duhet të reduktohet në pyetjen nëse ora kishte kaluar 00:00. Vlerësimi duhet të marrë parasysh qëllimin e normës, realizimin e tij, vazhdimësinë e institucioneve dhe nëse ka pasur abuzim apo vetëm tejkalim teknik të afatit.
Mekuli thekson se Kuvendi nuk e ndërpreu procesin dhe nuk krijoi një procedurë të re për zgjedhjen e presidentit pas mesnate. Votimi kishte nisur para orës 00:00 dhe vazhdoi pa ndërprerje deri në përmbylljen e tij, ndërsa Justina Shiroka-Pula u zgjodh me 81 vota.
Sipas tij, pikërisht vijimi i pandërprerë i procedurës përbën një nga elementet më të rëndësishme të analizës juridike. Pyetja kryesore nuk duhet të jetë vetëm nëse u tejkalua mesnata, por nëse procedura kushtetuese e nisur brenda afatit përfundoi pa ndërprerje dhe nëse u cenua ndonjë garanci themelore kushtetuese.
Ai shton se në këtë këndvështrim, akti parlamentar mund të trajtohet si një proces i vetëm, i cili ka nisur në kohë, ndërsa kjo nuk nënkupton se Kushtetuta mund të shkelet sipas vullnetit të institucioneve.
Më tej, Mekuli ndalet te “doktrina e domosdoshmërisë”. Ai sqaron se kjo doktrinë nuk u jep pushteteve të drejtën ta shkelin Kushtetutën sa herë që e konsiderojnë të nevojshme.
Megjithatë, në rrethana të jashtëzakonshme, kur ekziston një rrezik real për paralizimin e institucioneve, gjykatat dhe doktrina kushtetuese mund të shqyrtojnë nëse veprimi ishte i domosdoshëm për të ruajtur vazhdimësinë e shtetit, nëse ishte proporcional dhe nëse ekzistonin alternativa më pak cenuese. Sipas Mekulit, këto rrethana lidhen edhe me zgjedhjen e Presidentes së Kosovës, znj. Shiroka-Pula.
Ai pranon se një mekanizëm i tillë kërkon mbikëqyrje, pasi kompetencat e jashtëzakonshme mund të keqpërdoren. Studimet empirike mbi gjendjet emergjente, shprehet ai, tregojnë se pushtetet e tilla duhet të kufizohen dhe të jenë objekt i kontrollit institucional.
Publicisti shton se situata jashtë Kuvendit duhet të merret parasysh nëse provohet se përbënte rrezik real për përshkallëzim të dhunës. Sipas tij, ky element duhet të analizohet si pjesë e kontekstit politik të krizës, por nuk mund të shërbejë automatikisht si justifikim për shkeljen e Kushtetutës.
Mekuli ngre edhe çështjen nëse një krizë institucionale duhet të çojë në vakum pushteti vetëm për shkak të një interpretimi strikt të afatit procedural, kur ekzistojnë mënyra të arsyeshme për ta konsideruar procesin të pandërprerë.
Ai thekson se politika nuk është një shkencë ekzakte ku 2+2 japin gjithmonë 4, pasi bëhet fjalë për shkenca shoqërore. Në këtë kuadër, sipas tij, Kushtetuta nuk duhet trajtuar si një orë muri, ku shënimi 00:00 merr përparësi absolute ndaj funksionimit të shtetit.
Zgjedhja e Shiroka-Pulës, vijon Mekuli, nuk duhet gjykuar vetëm nga fakti se rezultati u shpall disa minuta pas mesnatës. Votimi kishte filluar brenda afatit, procedura ishte zhvilluar pa ndërprerje dhe presidentja ishte zgjedhur me 81 vota. Edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se tejkalimi prej disa minutash në numërimin dhe shpalljen e rezultatit nuk përbën shkelje kushtetuese.
Përfundimi mbi kushtetutshmërinë e procesit, sipas tij, nuk duhet të paraprihet nga deklarata përfundimtare. Para se të thuhet në mënyrë kategorike se Kushtetuta është shkelur, duhet pritur dhe analizuar qëndrimi i institucionit që ka kompetencën përfundimtare për këtë çështje.
Mekuli nënvizon se mbrojtja e Kushtetutës dhe mbrojtja e funksionimit të shtetit janë dy objektiva që duhet të ecin bashkë. Historia kushtetuese e demokracive moderne tregon, sipas tij, se në periudha krizash janë krijuar mekanizma për të shmangur paralizën institucionale.
Megjithatë, ai thekson se këto mekanizma nuk përbëjnë një autorizim të pakufizuar për pushtetin. Çdo shmangie duhet të jetë e domosdoshme, proporcionale, e kontrollueshme dhe e lidhur drejtpërdrejt me ruajtjen e rendit kushtetues.
Publicisti e konsideron të ligjshme kritikën ndaj institucioneve, por kundërshton shpalljen paraprake se Kosova ka shkelur Kushtetutën. Një konkluzion i tillë, sipas tij, duhet të bazohet në interpretim juridik dhe jo në klimën e panikut politik.
Në një kohë kur vendi rrezikonte të përballej sërish me një cikël bllokimi institucional, Mekuli vlerëson se përgjegjësia politike duhet të synojë zgjidhje brenda Kushtetutës dhe jo ta përdorë atë si mjet për ta mbajtur shtetin peng.
Në përfundim, ai thotë se pyetja nuk duhet të kufizohet te fakti nëse ora shënoi 00:00. Sipas Gëzim Mekulit, çështja më e rëndësishme është nëse u ruajt rendi kushtetues dhe vazhdimësia e shtetit të Kosovës.






