Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar se fushatat parazgjedhore për zgjedhjet në Serbi nuk do të zhvillohen në Kosovë. Ai bëri të ditur gjithashtu se në Mitrovicë të Veriut është ndërprerë një aktivitet i lidhur me zgjedhjet.
Të lidhura
None found
Sipas Elshanit, Policia ka marrë udhëzim nga eprorët që të mos lejojë fushata parazgjedhore apo aktivitete zgjedhore të Serbisë në Kosovë.
“Udhëzimi dhe vendimi i eprorëve tanë është që fushata parazgjedhore dhe zgjedhore e Serbisë nuk lejohet të mbahet në Kosovë. Një aktivitet i tillë nuk do të lejohet”, u shpreh Elshani.
Ai tha se të mërkurën në Mitrovicë të Veriut ishte organizuar një aktivitet ku, sipas informacioneve të Policisë, morën pjesë rreth 200 mësues.
“Dje kemi pasur një rast me rreth 200 arsimtarë e mësues, të cilët Lista Serbe i kishte ftuar për t’u treguar si të votonin dhe çfarë të bënin. Ky ishte informacioni që kishim. Kur shkuam, ata thanë se takimi kishte të bënte me integrimin e shkollave dhe më pas u larguan”, tha Elshani.





